Lajme

Përgjysmohen shpenzimet e deputetëve për udhëtime


Kuvendi i Kosovës.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka vendosur të mërkurën që t’i kufizojë në 150 euro në muaj shpenzimet e deputetëve për udhëtime.

Ky propozim ka ardhur nga shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje në punimet e seancës plenare dhe komisione, nga tani do të jetë deri në 30 km 5 euro, deri në 60 km 10 euro dhe mbi 60 km 15 euro.

Këto çmime janë përgjysmuar në krahasim me vendimin e tetorit të 2011-s, ku deputetët që banonin deri në 30 kilometra larg Prishtinës, kompensoheshin me nga 10 euro, deri në 60 kilometra me nga 20 euro dhe mbi 60 kilometra me nga 30 euro.

Ndër të tjera, shpenzimet maksimale që një deputeti mund t’i mbulohen brenda një muaji janë 150 euro.

Shpenzimet e deputetëve.

Më 4 shkurt, janë publikuar shpenzimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për dy muajt e fundit e vitit 2021 për udhëtimet që ata thonë se i bëjnë nga Gjakova, Prizreni, Vushtrria apo Lipjani.

Listës së publikuar të shpenzimeve i ka prirë deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ajo nga radhët komunitetit boshnjak Duda Balje.

Të dytë kanë shpenzuar nga 870 euro për derivate për muajt nëntor-dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërkaq deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti, 810 e pasuar nga Albana Bytyqi e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me 780 euro të shpenzuara.

Nga shpenzimet e publikuara shihet se më së shumti kanë harxhuar deputetët që vijnë nga Gjakova e Prizreni.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media kishte komentuar listën e shpenzimeve të deputetëve për karburante për dy muajt e fundit të vitit të kaluar, kështu duke potencuar se një gjë e tillë është e trashëguar.

I pari i ekzekutivit i pati bërë thirrje Kuvendit ta ndryshojë këtë rregullore.

Ai madje e ka konsideruar si të pa drejtë piketimin e ndonjë deputeti ose deputeteje të veçantë për një vendim që është i vitit 2011.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore