Shqipëria

Përfundon vaksinimi i bagëtive të imta dhe kafshëve bujqësore


Ka përfunduar procesi i vaksinimit të bagëtive të imta dhe kafshëve bujqësore, të mërkurën e 26 majit, në zonat me risk të lartë për shfaqjen e sëmundjes së Plasjes.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, përmes një postimi në median sociale Facebook.

Sipas njoftimit, janë vaksinuar me 87 mijë e 350 doza vaksinash, kafshët bujqësore të 38 fshatrave në qarqet Gjirokastër, Vlorë, Dibër, Berat, Elbasan, Shkodër dhe Kukës.

Ka qenë Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) në përputhje me zbatimin e Programit Kombëtar të Kontrollit të Plasjes, për vitin 2021, që ka kryer këtë numër vaksinimi.

Sëmundja e Plasjes

Sipas “Manualit të Sëmundjes së Plasjes”, kjo është një zoonozë serioze, që do të thotë se mund të transmetohet nga kafshët tek njerëzit.

Bakteret e antraksit prodhojnë toksina jashtëzakonisht të fuqishme, të cilat janë përgjegjëse për efektet e negative. Sporet e antraksit janë jashtëzakonisht rezistente që mund të mbijetojnë në mjedis për dekada, kjo e bën kontrollin ose çrrënjosjen e sëmundjes shumë të vështirë.

Antraksi është një sëmundje detyrimisht e lajmërueshme dhe dyshimi duhet të raportohen menjëherë pranë shërbimit veterinar shtetëror.

Fushata e vaksinimit

Gjatë muajit maj, në vendin tonë ka filluar procesi i vaksinimi të kafshëve që rrezikojnë të preken nga sëmundja e Plasjes.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka nisur kryerjen e profilaksisë shtetërore për vaksinimin e bagëtive të imta, gjedhin, derrat dhe njëthudrakët, sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR).

Sipas kalendarit të vaksinimit për sëmundjen e Plasjes, fushata e vaksinimit u planifikua të zhvillohet në 38 fshatra. Kryesisht në qarqe Gjirokastër, Vlorë, Dibër, Berat, Elbasan, Shkodër dhe Kukës.
Vaksinimi u krye  në përputhje me zbatimin e Programit Kombëtar të Kontrollit të Plasjes, në Shqipëri, për vitin 2021.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore