Lajme

Përfundon takimi i Kurtit me të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë, s’ka deklarime për media


Albin Kurti ne pritje te ambasadoreve

Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Takimi me korin diplomatik ka ndodhur pa paralajmërim derisa është mbajtur në Qeverinë e Kosovës, Zyrën e kryeministrit.

Nuk është bërë e ditur as pas takimit se cila ishte arsyeja e bashkëbisedimit të pa njoftuar.

Askush nga ambasadorët e as nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë deklarata para gazetarëve të mbledhur tek hyrja e objektit të Qeverisë.

Ajo çfarë dihet është një takim i paralajmëruar i Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak, siç u bë e ditur të dielën, po vjen në Kosovë “për një drekë pune”.

Pas Prishtinës, Lajçak viziton edhe Beogradin ku do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Vizitat e Lajçakut po bëhen në kuadër të diplomacisë fluturuese në përpjekje për arritjen e një marrëveshje mbështetur në propozimin franko-gjerman.

Në anën tjetër, kërkesat e perëndimorëve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe kanë vazhduar.

Presioni është cilësuar si i padrejtë nga Kurti, meqë sipas tij, ai do të duhej të përqendrohej në Beograd për ta njohur Kosovën.

Këtë e ka thënë edhe në intervistën e tij të fundit dhënë agjencisë së lajmeve Associated Press.

Kurti kërkon që Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore