Lojëra

Përballja e industrisë së videolojërave me emetimet e karbonit


Kompania teknologjike Microsoft është zotuar të mos lëshojë emetime karboni deri në vitin 2030 dhe të heqë nga mjedisi të gjithë karbonin që ka emetuar deri në vitin 2050.

Por për të tjerët në treg, vendimet janë më të ndërlikuara.

Më në vështirësi ndodhet industria e lojërave.

Ajo prodhon një produkt për kohën e lirë, i cili ekziston thuajse tërësisht në software dhe mund të përdorë, në varësi të vendimeve të marra nga zhvilluesi, aq energji elektrike sa e një ore dore.

Mirëpo, çfarë do të thotë të jesh një zhvillues lojërash i ndërgjegjshëm për klimën?

Tamara Alliot, shefja ekzekutive e zhvilluesit të lojërave Nerial thekson se ka shumë mënyra se si një zhvillues mund të trajtojë gjurmën e tij përpara se të ketë nevojë t’i kushtojë vëmendje pikave më të ndërlikuara filozofike.

“Ndikimi i të luajturit të lojërave është një nga ndikimet e industrisë, por nuk është e vetmja gjë”, ka thënë ajo.

“Duhet të pranojmë se ekziston një zinxhir furnizimi i videolojërave dhe një cikël jete i hardware-it. Jeta e tij, energjia dhe materialet e përdorura për të bërë vetë kompjuterët është diçka për të cilën të gjithë duhet të marrin përgjegjësi”, ka shtuar.

Dhe disa zhvillues kanë bërë ndryshime të mëdha në zonat që janë nën kontrollin e tyre.

Sports Interactive, zhvilluesi i Football Manager, vendosi dy vjet më parë të jetë ndryshimi që dëshiron të shohë në botë dhe ndaloi tërësisht dërgimin e lojës në kuti plastike.

“Po e zëvendësojmë kutinë plastike që përdoret zakonisht në të gjithë industrinë me një kuti kartoni të përforcuar, 100 për qind të ricikluar, të bërë me 100 për qind fibra të ricikluara”, ka treguar ekzekutivi Miles Jacobson.

“E kemi ndryshuar printimin në paketim me bojë bimore dhe me bazë uji me një manual letre të ricikluar brenda dhe kemi arritur të marrim mbështjellësin e riciklueshëm për të mbyllur paketimin dhe për ta mbajtur të sigurt gjatë udhëtimeve”, ka vijuar.

Kurse të tjerët kanë marrë qasjen që ndikimi i lojërave ka të ngjarë të tejkalojë çdo ndryshim të efikasitetit në hapësirën e zyrës.

“Si zhvillues lojërash, çka mund të bëjmë është të punojmë drejt, me të gjithë të tjerët, për të krijuar një mjedis ku ndryshimi ndihet i pashmangshëm, sikur është diçka që duhet të ndodhë”, ka thënë Tomas Rawlings, nga Auroch Digital.

Megjithatë, të flasësh për etikën dhe detyrimet në veprimin klimatik është gjithmonë e vështirë dhe dyfish më e vështirë kur diskutohet për një aktivitet të kohës së lirë.

Por nuk mund të mendohet për shumë aktivitete të tjera ku gjurma e karbonit mund të ndryshojë njëqindfish me kaq pak dallime praktike për përdoruesin.

Kur ky i fundit luan lojëra, ndryshimi është i vogël. Kurse kur bëhet fjalë për zhvilluesit e lojërave, ndryshimi është i dukshëm.

Një moratorium i vetë-imponuar për lojërat gjithnjë e më intensive do të kishte efektin e zgjatjes së jetëgjatësisë së pajisjeve të lojërave, duke reduktuar emetimet e ngulitura në çdo tastierë dhe kartë grafike të shitura.

Do të ulte kostot e zhvillimit për të gjithë, duke çliruar mijëra njerëz që kalojnë jetën e tyre profesionale duke modeluar gurë e pemë.

 

Marrë nga “The Guaqrdian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore