Lajme

Për herë të parë, Mbretëresha Elizabeth II do të emërojë kryeministrin jashtë Pallatit Buckingham


Mbretëresha e Britanisë Elizabeth II do të mirëpresë kryeministrin e ri për herë të parë në mbretërimin e saj të gjatë në rezidencën Balmoral në Skoci.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi britanik “Sky News”.

Mbretëresha do të takohet me kreun e ri të qeverisë më 6 shtator, një ditë pas shpalljes së emrit të tij.

Historikisht, ajo ka emëruar kryeministra të mëparshëm në Pallatin e Buckingham-it ose Kështjellën Windsor.

Megjithatë, monarkja 96-vjeçare është këshilluar të qëndrojë në rezidencën e saj Balmoral në Aberdeenshire, ku ajo kalon pushimet e saj verore.

Nga atje ajo do të emërojë Rishi Sunak ose Liz Truss si kryeministër më 6 shtator, duke thyer traditën e gjatë mbretërore.

Mbretëresha ka vuajtur nga problemet e lëvizjes që nga vjeshta e kaluar dhe tani përdor rregullisht një bastun.

Ajo u detyrua të ndërpresë disa angazhime zyrtare këtë vit, dhe në mënyrë të dukshme humbi shumicën e festimeve të përvjetorit të saj, duke bërë vetëm një paraqitje të shkurtër në ballkonin e pallatit.

Sipas sondazheve të fundit, Liz Truss do të fitojë garën për postin e kreut të Partisë Konservatore dhe kryeministres nga ish-ministri i financave Rishi Sunak.

Ajo së fundmi tha se nëse zgjidhet në postin e kreut të qeverisë britanike, do të ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore, edhe nëse kjo do të thotë “shkatërrim global”.

Ajo gjithashtu vuri në dyshim nëse presidenti francez Emmanuel Macron është mik i Britanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore