Lajme

Për herë të gjashtë dështon themelimi i Komisionit për skandalet e rezervave shtetërore


Foto: Albanian Post.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore ka dështuar për të gjashtën herë.

Në pesë tentimet e kaluara, konstitutimi i këtij komisioni ishte i pamundur për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Mospjesëmarrja e deputetëve të pozitës në këtë komision, nga opozita është kritikuar vazhdimisht, duke thënë se të njëjtit po fshehin diçka.

Komisioni Hetimor Parlamentar.

Rasti i keqpërdorimit me rezerva shtetërore 

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të këtij vitit për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?”, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore