Lajme

Pendarovski: Kurti s’e ka keqpërdorur vizitën në Tetovë e Çair, por simbolet e ekspozuara ishin irrituese


Albin Kurti dhe Stevo Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për gazetën shqiptare “Koha”, ka komentuar sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në dy komunat e banuara me shumicë shqiptare atje – Tetovë dhe Çair të Shkupit – duke theksuar se kreu i ekzekutivit kosovar s’e ka keqpërdorur vizitën e tij.

Kreu i shtetit maqedonas ka thënë se vizita e kryeministrit Kurti për promovimin e rrugës me emrin e veprimtarit Adem Demaçi nuk paraqet ndonjë problem, por simbolet e ekspozuara nacionaliste sikurse “Shqipëria e Madhe” kanë qenë irrituese, posaçërisht në një kohë kur janë ngritur ‘tensionet’ mes shqiptarëve dhe maqedonasëve.

“Unë nuk kam asnjë problem të kuptoj logjikën e Kurtit për vizitën e tij. Edhe unë, nëse do të isha në vendin e tij, do të vija. Ai ka ardhur këtu të bëjë nderime për një rrugë që e emëruam – me shumë mundësi të mentorit të tij më të madh politik – Adem Demaçi. Por ikonografia pas paraqitjes së tij ishte irrituese”, ka thënë Pendarovski.

Ai ka shtuar se kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij s’e ka thënë as edhe një germë kundër Maqedonisë së Veriut apo popullit maqedonas, dhe për më tepër, as nuk e ka keqpërdorur mikpritjen atje, porse ka ngelur i hatëruar nga Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili, sipas tij, s’ka pasur nevojë të vepronte siç ka vepruar.

“Mua në gjithë atë situatë më kanë befasuar videot që ishin incizuar nga miku im Bilall Kasami. Nuk ka qenë i nevojshëm incizimi i videove duke thënë ‘Mirë se erdhët në Shqipëri’”, ka theksuar ndër tjera presidenti maqedonas gjatë intervistës së tij, ku ka folur edhe për zhvillimet e përgjithshme politike në Shkup.

Kryeministri Kurti ishte pritur më 11 gusht me ikonografi shqiptare, flamuj e simbole tjera kombëtare shqiptare atje, ndërsa vizita e tij është cilësuar në masë të madhe sikur një pozicionim i qartë politik dhe përpjekje për “përçarjen” e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore