Përballje

Peja triumfon në derbi ndaj Sigal Prishtinës


Peja ka shënuar fitore ndaj Sigal Prishtinës me rezultat 89:78, në kuadër të javës së 23-të të Art Motion Superligës së Kosovës në basketboll.

Vendasit e nisën ndeshjen për mrekulli, me një seri të jashtëzakonshme prej 15:2, por prishtinasit nuk dorëzohen, duke afruar shifrat në vetëm katër pikë, 18:14, sa përfundoi çereku i parë.

Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, ku për herë të parë kaluan në epërsi 32:34, pas 16 minutave lojë, ndërsa shkuan në pushim shkuan me shifrat 38:42.

Perioda e tretë ishte shumë interesante, ku verdhezinjtë rikthehen shpejt, dhe kjo pjesë u karakterizua me shumë barazime e epërsi sa nga njëra skuadër, e sa nga tjetra, ku asnjëra nuk arrinte shkëputjen e madhe, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 62:59.

Megjithatë, në dhjetë minutat e fundit dhe vendimtare, vendasit ishin më të mirë, duke krijuar epërsi deri në 14 pikë dhe e menaxhoi epërsinë deri në fund për të triumfuar me shifrat 89:78.

Te Peja u dalluan Courtney Fells me 25 pikë, shtatë kërcime e gjashtë asistime, Calvin Godfrey me 18 pikë e dhjetë kërcime dhe Daniel Lekndreaj me 19 pikë e shtatë kërcime.

Ndërsa te Sigal Prishtina u dalluan Jan Palokaj me 17 pikë e pesë kërcime dhe Lejson Zeqiri me dhjetë pikë e tetë kërcime.

Peja ka 15 fitore e shtatë humbje, kurse Sigal Prishtina 11 fitore e 12 humbje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore