Lajme

Peach: Britania mbështet dialogun Beograd-Prishtinë që çon në BE


Në fund të vizitës së tij në Beograd, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tha se u kishte thënë liderëve në Serbi se Britania e Madhe mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës që çon në Bashkimin Evropian.

“Emërimi im është një shenjë e përkushtimit tonë për një të ardhme të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë të këtij rajoni të rëndësishëm”, tha Peach përmes një videomesazhi në Twitter.

Ai potencoi se ka takuar liderët shtetërorë të shtetit të Serbisë gjatë vizitës në këtë vend me të cilwt ka folur për rajonin dhe sfidat më të gjera të sigurisë ndërkombëtare.

“Folëm për përparimin e Serbisë në programet e saj të modernizimit dhe reformës, programe që Mbretëria e Bashkuar mbështet përmes fondit tonë për qeverisje të mirë dhe me ndihmën e Këshillit Britanik”.

“Në prag të zgjedhjeve të ardhshme në Serbi, ne diskutuam rëndësinë e proceseve dhe institucioneve të shëndetshme demokratike, një skenë të larmishme të pavarur mediatike, qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit”, shtoi ai.

Peach pohoi se ka diskutuar edhe për stabilitetin rajonal me krerët e shtetit serb.

“Unë ndava gjithashtu përshtypjet e mia nga vizita në rajon, duke përfshirë BiH, duke theksuar rrezikun e kërcënimit të paraqitur nga fjalët dhe veprat që shkaktojnë ndarje midis komuniteteve”.

Ai theksoi se Serbia dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë potencial të madh dhe se Britania në bashkëpunim me komunitetin e gjerë ndërkombëtar, dëshiron të ndihmojë në ndërtimin e stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm që qytetarët kanë nevojë dhe meritojnë si anëtarë të vlerësuar dhe të rëndësishëm të familjes më të gjerë evropiane.

I dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, tashmë ka zbarkuar në Kosovë këtë të mërkure për një vizitë dy-ditore.

Fillimisht ai do të takohet paraditen e së enjtes së 10 dhjetorit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në ora 11:00 merr vesh Albanian Post.

Arritjen e Peach në Prishtinë e ka konfirmuar edhe ambasada britanike, teksa kanë pohuar takimet e emisarit Peach me krerët e shtetit dhe të opozitës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore