Lajme

PE-ja kërkon që fondet e BE-së për Serbinë të pezullohen për shkak të parregullsive zgjedhore


Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian (PE), përveçse pritet të kërkojë hetime të pavarura ndërkombëtare për parregullsitë që janë raportuar gjatë zgjedhjeve të fundit në Serbi (17 dhjetor 2023), pritet t’i kërkojë Komisionit Evropian (KE) edhe pezullimin e fondeve të Bashkimit Evropian (BE) për Serbinë në rast se vërtetohet përfshirja e drejtëpërdrejtë e autoriteve serbe në vjedhjen e votave.

“Nëse Serbia nuk i përmirëson kushtet zgjedhore, ose nëse hetimi tregon përfshirjen direkte të autoriteteve serbe në mashtrimin zgjedhor, fondet e BE-së duhet të pezullohen, për shkak të shkeljes së rëndë të sundimit të ligjit sikurse në rastin e zgjedhjeve”, thuhet në draft-rezolutën e PE-së që pritet të votohet të enjten (8 shkurt) në seancën plenare të PE-së në Strasburg.

Në draft-rezolutën e hartuar nga grupet politike, posaçërisht nga eurodeputetët e Partisë Popullore Evropiane (EPP) dhe Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), shprehet keqardhje për faktin se Serbia nuk siguroi zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve dhe normave ndërkombëtare, veçanërisht nga një vend kandidat për anëtarësim në BE.

“Ne bëjmë thirrje për hetime të pavarura nga ekspertë dhe institucione të respektuara ndërkombëtare për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale, me kujdes të posaçëm në zgjedhjet për Asamblenë e Beogradit”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës, derisa gjithashtu shprehet keqardhje për refuzimin e autoriteteve serbe që të pranojnë parregullsitë.

Më 8 shkurt eurodeputetët do të votojë për rezolutën që trajton zgjedhjet e kontestuara serbe. Rezoluta e PE-së u pasua me debat në seancën plenare të 17 janarit. Propozimi i S&D-së për debat u miratua me 270 vota pro dhe 37 kundër, duke gjetur mbështetje të madhe, ndërsa propozimi për rezolutë në seancën e radhës u miratua me 185 vota pro dhe 105 kundër.

Perspektiva e demokracisë në Serbi mbetet e paqartë. Në Serbi nisi një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar dhe kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mohoi akuzat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore