Lajme

PDK: Testi PISA është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit


Eliza Hoxha

Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për rezultatet e publikuara të testit “PISA” për vitin 2022, të cilat tregojnë që Kosova ka shënuar regres në fushën e arsimit, madje situata është edhe më e rëndë seç ka qenë në vitin 2018, kur ka qenë edhe hera fundit kur ka pasur matje.

Rezultatet e PISA-s, sipas deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, janë pasqyra e vërtet e qeverisjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Thjesht Qeveria Kurti dje ka rënë nga provimi në fushën për të cilën ishte krekosur aq shumë kur ishte në opozitë e premtoi aq shumë kur erdhi në pushtet”.

Në vitin 2018 kur PISA doli me rezultatet për Kosovën, sipas Hoxhës, Kurti kishte thirrur një seancë të jashtëzakonshme duke thënë se “arsimi në Kosovë është në krizë të madhe”.

“Edhe ne besojmë se arsimi është në krizë të thellë, por me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit të qeverisjes kriza në arsim vetëm sa është thelluar dhe këtë e vërteton rezultati i PISA-s”.

Analfabetizmi qeveritar, sipas Hoxhës, nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në vendin tonë.

“Ministrja e Arsimit u fsheh pas pandemisë COVID-19, por në programin qeveritar të Lëvizjes Vetëvendosje, fjalia e parë në bllokun që i referohet zhvillimit të arsimit, i referohet përmirësimit të arsimit në situatën post-COVID”.

Në vend që të bëjë reforma, Qeveria e Kosovës, sipas Hoxhës, zgjodhi të luftojë nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk i doli zot as obligimit Kushtetues dhe Ligjor që të sigurojë libra falas për nxënësit e Kosovës.

“Në vend të reformës ata zgjodhën të bllokojnë reformat në arsimin fillor. Çfarë na dëshmohet neve sot është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore