Shqipëria

PD-ja dorëzon në SPAK denoncimin për “Malin e Tiranës”


Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës Enriketa Papa ka dorëzuar të martën e 8 gushtit në Prokurorinë e Posaçme një padi për “Malin e Tiranës”, një kullë e re në zemër të kryeqytetit, e cila do të jetë e një totali prej 65-katesh.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike pohoi se denoncimi ishte hapi i parë pa zbuluar detaje të tjera të kallëzimit.

“Denoncojmë korrupsionin dhe ky është hapi i parë që ne bëjmë për të denoncuar dhe treguar dëshminë e angazhimeve dhe luftës së vazhdueshme të PD-së për aferat korruptive që bëhen në kurriz të qytetarë. Detajet e kallëzimit do të bëhen më tej në një deklaratë zyrtare”, theksoi Papa para mediave të pranishme.

Akuza e kundërakuza mes palëve janë ngritur sa i takon qiellgërvishtësit të ri, i cili do të jetë edhe më i larti i ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri dhe i marrë përsipër nga kompania “Nova Construction 2012”, ideuar nga studio daneze CEBRA.

Kjo kullë në fakt është lajmëruar kahera se do të ngrihet në zonën e lulishtes pas Teatrit të Ooperas dhe Baletit, por kurrë nuk ka bërë zë sa sot, kur puna nisi zyrtarisht me rrethimin e zonës.

‘Mali i Tiranës’, çfarë parashikohet në projekt?

Reagimet

Në fakt, vëmendjen e parë do ta risillte aktivisti politik Arlind Qori me Lëvizjen Bashkë, por nuk do të mungonin shpejt akuzat e prera politike kundër kësaj strukture.

Sytë do të ktheheshin nga Partia Demokratike zyrtare, ku kryetari i sapo rizgjedhur i kësaj force politike, Lulzim Basha, në vijim të retorikës së tij për të përbashkuar në një eksponentë dekadentë të sferës shqiptare politike si kryeministri Edi Rama, apo mentori i tij demokrat, Sali Berisha, hodhi një akuzë të fortë të radhës, e cila lidhet me ndërtimin e kësaj kulle.

“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë”.

Mbi këtë premisë, Basha ka ngritur dyshime se pas kullës, jo vetëm që janë eksponentët e Partisë Socialiste, por edhe ata të fraksionit brenda PD-së, të njohur si “Rithemelimi” dhe të drejtuar nga vetë Berisha.

Ndaj Basha vijon të kërkojë në këtë linjë, një vetting të politikanëve, për të shmangur hyrjen në institucione të personave të lidhur me korrupsionin në nivele të larta.

Megjithatë, akuza të tilla mohon nga kampi kundërshtar brenda PD-së.

Berisha vetë, do ta quante të gjithën një zhurmë për të hequr vëmendjen nga çështja e inceneratorëve.

Madje, akuzat sipas Berishës, janë ngritur nga kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe thjesht janë transmetuar nga Basha. Por, të gjitha qëndrojnë në rangun e shpifjeve sipas tij.

“E gjithë përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekzistojnë. Gjatë qeverisjes së PD, Sali Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë. Plani që ka miratuar Këshilli Kombëtar ka qenë për ndërtimin e ndërtesave 6-8 kate në të gjithë territorin e Tiranës. Janë shpifarakë të mjerë”, nënvizoi ai.

Në qetësi të plotë ndërkaq, është mazhoranca politike, e cila nuk e ka komentuar ngjarjen.

Kjo, pavarësisht faktit se një sipërfaqe shumë e madhe në zemër të kryeqytetit po jepet për ndërtim dhe sipërfaqja e këtij të fundit, pritet të jetë rreth 70 mijë metra katrorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore