Shqipëria

PD-ja dorëzon dokumentet e kërkuara nga KAS-i, në emër të Alibeajt


Partia Demokratike (PD), përmes përfaqësuesit ligjor Indrit Sefa, ka dorëzuar të premten e 17 marsit dokumentet e kërkuara nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).

Kjo shtesë dokumentacioni i hap dritën e gjelbër regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Në emër të kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj është dorëzuar deklarata me të dhënat dhe deklarata e angazhimit solemn.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve në mbledhjen e djeshme vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e grupit Alibeaj.

Këto ishin të vetmet detyrime që kanë ngelur për t’u plotësuar me qëllimin që PD të garojë.

Kështu, me këtë vendim KAS “hedh poshtë” komisionerin shtetëror të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i cili vendosi qe të mos regjistrojë këtë forcë politike në zgjedhje, pasi dokumentacioni nuk ishte i plotë. Kjo, pasi me vendim të Gjykatës së Tiranës, Lulzim Basha figuron kryetar i saj.

Nga ana tjetër, në shqyrtim KAS ka pasur dhe ankimin e grupit të Sali Berishës i cili pati kërkuar që të regjistrojë këta të fundit si PD zyrtare dhe me kryetar legjitim vetë Berishën.

Ashtu si Celibashi, edhe KAS vendosi që të rrëzojë kërkesën e tyre.

Vendimin e KAS, grupi i Berishës e konsideroi të paligjshëm. Përfaqësuesi i tij në KQZ tha se KAS mori atributet e Gjykatës dhe i dha Alibeajt diçka që edhe ai nuk e kishte kërkuar.

“Sot vendimi i KAS është në paligjshmëri të plotë. Sot KAS guxoi të marrë atributet e gjykatës që Gjykata nuk e ka bërë në një vit e gjysmë. Edhe vetë Enkelejd Alibeaj nuk e kishte kërkuar. Për ne kjo është një maskaradë. Do ta çojmë në Kolegj”, tha Ledio Nuraj.

Me dhënien e vendimit të KAS një reagim ka pasur nga kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj dhe deputeti demokrat Gazment Bardhi.

Alibeaj ka bërë thirrje për bashkim, kështu duke “lënë derën hapur” për kandidatët e dalë nga primaret e Berishës që të kandidojnë nën siglën e PD-së, pavarësisht se Berisha e ka bërë të qartë se nuk ka një bashkim me Alibeajn. Madje këtë të fundit e ka konsideruar si “ushtar” të kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë se Berisha së bashku me Ilir Metën dhe dy aleatë të tjerë kanë depozituar në KQZ koalicionin nën siglën “Bashkë Fitojmë”, i cili së bashku do të shohë të marrin pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Pjesë e tija janë Partia e Lirisë, Partia Demokristiane, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut dhe gjithashtu, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Kjo e fundit, është edhe arsyeja se pse si i tillë, koalicioni nuk ka gjasë të marrë miratimin e komisionerit për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Pse lind kjo polemikë?

Së pari, gjithçka lidhet me çështjen e Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Problemi i vërtetë qëndron me pjesën ku kryetar i pretenduar, është Sali Berisha, i cili në vetvete ka treguar se ka shumicën e Partisë Demokratike dhe elektoratit me vete.

Por, në regjistrin themeltar të partive politike pranë Gjykatës së Tiranës, juridikisht njihet vetëm PD-ja me kryetar legjitim, Lulzim Bashën, e cila me dorëheqjen e këtij të fundit një vit më parë nga drejtimi i partisë, ka mbetur në dorë të grupimit të Enkelejd Alibeajt, i cili në vetvete pretendon se është kryetar i komanduar.

Për këtë arsye, Sali Berisha, nga ligji, nuk njihet si kryetar i demokratëve dhe kësisoj, ai nuk është drejtues i forcës së djathtë politike.

Mirëpo, në kërkesën e dorëzuar për koalicionin “Bashkë Fitojmë” nga ana e Partisë së Lirisë, shkruhet qartësisht se pjesë e koalicionin është edhe PD-ja.

Në shkresën e kësaj të fundit, janë përdorur të gjitha simbolet e partisë, me në fund firmën e Berishës dhe një vule të PD-së, gjë që nuk i takon këtij grupimi, pasi nuk ka legjitimitet për këtë akt.

Më tutje mandej, në dokumentacion, Partia Demokratike përcillet edhe si drejtuese politike e këtij koalicioni.

Së bashku me to, ishte edhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës (kjo e fundit i shpëtoi sa i takon regjistrimit).

Në argumentimin e asaj kohe nga komisioneri Celibashi, ishte e pamundur që në koalicion, pavarësisht se Berisha kishte bërë kërkesën, të figuronte edhe Partia Demokratike si pjesë e grupimit.

Kjo, edhe për faktin se paralelisht, në ato zgjedhje, si PD ishte regjistruar grupimi i Alibeajt të cilën e njohu dhe KAS, legjitim sërish në atë kohë për të përdorur siglat dhe vulën e forcës politike.

Ndaj, rasti më i mundshëm, është ai se koalicioni do të regjistrohet me tre parti: Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

Më pas, kandidatët për bashkitë dhe këshilltarët bashkiakë, do të ndahen siç është theksuar më parë, në bazë të votave të marra në zgjedhjet e mëparshme, ku pavarësisht se mbi letër nuk do të ndodhet, Berisha do të marrë numrin më të lartë, me demokratët e tij dhe më tej, tre partitë e tjera, do të marrin zona të caktuara përsipër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore