Euro 2020

Patrick Schick fantastik në fitoren e Çekisë ndaj Skocisë


Çekia ka filluar Kampionatin Evropian, në mënyrë fantastike, duke e mposhtur Skocinë brenda në Glasgou me rezultat 0:2.

I papërmbajtshëm në këtë përballje të grupit D, ishte futbollisti i Bayer Leverkusen, Patrik Schick, i cili realizoi dy fola, nga një në secilën pjesë.

Skocezët e nisën më mirë ndeshjen, me disa raste të krijuara nga dyshja Armstrong – Robertson, mirëpo nuk arritën të realizojnë ndonjë gol.

Pas rasteve të humbura nga skocezët, çekët u rikthyen në lojë dhe, në minutën e 42-të, Schick realizoi një gol të bukur me kokë pas një asistimi nga shoku i tij, Vladimir Coufal.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të Çekisë, pastaj në minutën e 52-të, protagonist ishte përsëri Schick, por kësaj here ai realizoi një gol fantastik nga gati gjysma e fushës, pasi pa një dalje të gabuar të portierit David Marshall.

Skocezët provuan të rikthehen në lojë dhe patën disa raste të mira për gol, mirëpo porta e çekëve mbeti e paprekur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Daniel Siebert.

Me këtë fitore, Çekia rrëmben vendin e parë të grupit D, me tre pikë, po aq sa ka edhe Anglia e vendit të dytë, ndërsa Kroacia dhe Skocia pozicionohen të fundit pa pikë.

Ndeshjen e radhës, Republika e Çekisë do ta luajë përballë Kroacisë më datën 18 qershor, në po të njëjtin stadium që zhvilloi sot ndeshjen kundër Skocisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore