Lajme

Pasuesi i Vuçiç-it: Ndoshta tërhiqemi nga dialogu


Millosh Vuçeviç, Aleksander Vucic dhe Ana Brnabic.

Ministri i Mbrojtjes serbe, dhe njëherësh kryetari i sapozgjedhur i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, ka thënë se autoritetet shtetërore serbe do ta shqyrtojnë kërkesën e Listës Serbe – partia e serbëve të Kosovës – për ndërprerjen e dialogut me Kosovën.

“Si qytetar i Serbisë e kuptoj absolutisht mesazhin e Listës Serbe dhe autoritetet shtetërore do ta shqyrtojnë këtë kërkesë në një periudhë të shkurtër kohore, këto janë çështje serioze”, deklaroi Vuçeviç në fjalën e tij të parë si kryetar i SNS-së.

Ndërkaq, ai theksoi se “është e neveritshme që për të njëjtën herë (ndërkombëtarët) e dënojnë dhunën e (Albin) Kurtit dhe nuk bëjnë asgjë për këtë”.

“Ai gjithmonë shkon një hap më tej dhe me sa duket vazhdon politikën e tij për terror ndaj komunitetit serb në Kosovë”, pretendon Vuçeviç.

Millosh Vuçeviç

Ndryshe, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, përmes një konference për media në Mitrovicën e Veriut, i ka bërë thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të tërhiqet nga procesi i dialogut me Kosovën.

Sipas Rakiç kjo kërkesë “është nga serbët që jetojnë në Kosovë”, pas situatës së krijuar të premten, ku Policia e Kosovës asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

“Duke pasur parasysh të gjitha sa më sipër, ne, përfaqësuesit politikë të popullit serb nga Kosova, si dhe i gjithë populli serb, kërkojmë nga presidenti ynë Vuçiç dhe gjithë lidershipi shtetëror që menjëherë të pezullojnë çdo pjesëmarrje të mëtejshme të Beogradit në dialogu me Prishtinën”, tha Rakiç.

Sipas tij, “çdo bisedë e mëtejshme me Prishtinën në rrethanat ekzistuese është jo vetëm e palogjikshme, por edhe kundërproduktive”.

Ndërsa, kësaj kërkese iu përgjigj ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, duke folur si kryetar i ri i Partisë Progresive Serbe, që vjen si pasues i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Vendimi për ta zgjedhur kryetar Millosh Vuçeviç është marrë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të SNS-së.

Kjo është bërë me propozimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Partisë Progresive Serbe që u mbajt në Kragujevc.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në tubimin e thirrur nga ai dhe partia e tij në Beograd të premten, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga të qenurit kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS).

Ai u tha qytetarëve të mbledhur se “njerëz të mrekullueshëm do ta marrin drejtimin e SNS nga nesër”.

“Kam 11 vite në krye të SNS-së, partisë më të mirë dhe më të madhe të mikpritësve të mrekullueshëm dhe njerëzve të ndershëm… Kjo është mbrëmja e fundit që po ju drejtohem si kryetar i SNS-së dhe nesër do të marrë dikush tjetër drejtimin e partisë tonën, në të cilën unë do të jem anëtar besnik”.

Kreu i Serbisë theksoi se pas dorëheqjes nga kryetari i partisë “do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Serbisë, jo i një partie politike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore