Shqipëria

Pasivizimi i adresave në Luginën e Preshevës


Gjatë viteve të fundit, Serbia ka ndjekur politika diskriminuese ndaj popullsisë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe një nga këto politika është fshirja e adresave.

E pozicionuar në lindje të Kosovës, Lugina e Preshevës përfshin në territorin e saj komunën e Preshevës në jug, komunën e Bujanocit në mes dhe komunën e Medvegjës në veri.

Në katër vitet e fundit, autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil në komunën e Medvegjës.

Politika diskriminuese qëndron në faktin se në momentin kur një qytetari shqiptar i pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe më pas fshihet nga regjistri civil në Serbi, ky qytetar nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë, nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të bëjë regjistrimin e makinës, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme në Serbi.

Si pasojë e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, për herë të parë që nga themelimi i komunës së Medvegjës, nga shtatori i vitit 2019 shqiptarët e Medvegjës nuk janë më pjesë e qeverisjes lokale.

Nga Tirana zyrtare ka patur qëndrime nga ana e ministrit Cakaj, i cili ka adresuar këtë problematikë në OSBE dhe organe të tjera evropiane.

Mbështetja për shqiptarët e Luginës së Preshevës ka ardhur gjithashtu përmes një reagimi nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), e cila bëri thirrje që të ndalet spastrimi etnik ndaj shqiptarëve dhe të mos lejohet precedenti i një Çamërie të dytë./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore