Shqipëria

Pas Xholit, prokurori Edvin Kondili dorëzon kandidaturën për kreun e SPAK-ut


Prokurori Edvin Kondili ka depozituar kërkesën dhe ka shprehur interesin për drejtues të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Një muaj më parë është hapur gara për kreun e ri të SPAK.

I pari që dorëzoi kërkesën për kandidim ishte prokurori Adnan Xholi.

Ishte, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i cili në mbledhjen e tij të fundit miratoi edhe hapjen e procedurës për zgjedhjen e drejtuesit të ri.

Thirrja, e publikuar në faqen zyrtare web të KLP-së përmban procedurën, dokumentacionin e nevojshëm dhe afatin e aplikimit prej 45 ditësh.

Më pas, Këshilli do të ketë në dispozicion edhe 45 ditë të tjera për t’u njohur me dokumentacionin dhe platformat e aplikantëve që do shprehin dëshirën për të kandiduar.

Pas këtij prezantimi do të mbahen seanca dëgjimore me secilin prej kandidatëve, me qëllim që, deri në datën 18 dhjetor të mundësohet zgjedhja e kreut të ri të SPAK-ut.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla, në mbledhje ceku edhe kriteret që mund të favorizojnë kandidatët.

“Kuptohet që kandidatët, të cilët kanë më shumë eksperiencë në drejtim, sepse mundet të jesh një prokuror i mirë, por nuk je menaxher i mirë i një zyre. Kandidatët që kanë spikatur me punën e tyre”, listoi ai.

Po ashtu një plus do të jetë për ata që kanë një figurë mediatike dhe marrëdhënien me median e publikun për aq sa i takon.

“Kandidatët që kanë eksperienca në hartimin e akteve nënligjore dhe rregulloreve do i kemi parasysh në përzgjedhje”.

Tre kandidatë fillestarë për të cilët u përfol se do të jenë pjesë e garës ishin: Edvin Kondilli, Adnan Xholi, dhe Klodian Braho.

Xholi, ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, por ka shërbyer edhe si Prokuror në Krimet e Rënda.

Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite.

Kandidati i parë për kreun e SPAK-ut është Adnan Xholi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore