Lajme

Pas skandalit të dhuratës në vizitën zyrtare të Lavrov-it në Bosnje, Rusia vendos të kthejë ikonën e Trashëgimisë Kulturore Ukrainase


Rusia ka njoftuar në 19 dhjetor se do të kthente ikonën 300-vjeçare ortodokse që iu dhurua Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov gjatë një vizite zyrtare në Bosnje. Ikona dyshohet se mund të ishte një thesar i mbrojtur kulturor i vjedhur nga Ukraina.

“Ikona do t’u kthehet donatorëve përmes Interpolit për sqarime të mëtejshme mbi historinë e saj” – deklaroi Lavrov para gazetarëve pesë ditë më vonë.

Nga imazhet dhe dyshimet paraprake, ikona mendohet të jetë marrë në qytetin ukrainas Luhansk, i cili ka qënë kryesisht nën kontrollin e separatistëve rusë që nga viti 2014. Dyshimet lidhen me praninë e forcave serbo-boshnjake gjatë konfliktit në Donbass mes forcave separatiste ruse dhe forcave ukrainase dhe mundësinë e vjedhjes së kësaj ikone në këtë periudhë.

Ambasada e Ukrainës në Sarajevë i dërgoi një letër Ministrisë së Jashtme të Bosnjës duke kërkuar një “mohim publik, të menjëhershëm dhe të qartë nga Sarajeva zyrtare” të raporteve që hidhnin dyshime se shteti boshnjak kishte poseduar ose transferuar një objekt të rëndësishëm kulturor, historik dhe fetar me origjinë nga Ukraina. Kjo kërkesë zyrtare iu përcoll Presidencës Boshnjake nga ana e kësaj ministrie për sqarime të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.

Skandali në lidhje me ikonën erdhi pas vizitës zyrtare të Lavrov, i pritur nga anëtari serb i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik. Vizita zyrtare u shoqërua me tensione diplomatike, ku ministri i jashtëm rus nuk u prit nga anëtari kroat i presidencës Željko Komšić dhe anëtari boshnjak Šefik Džaferović.

Ky vendim erdhi si qëndrim ndaj mungesës së respektit të treguar nga ana e ministrit rus, i cili vizitën e tij të parë e zhvilloi në pjesën serbe ndërkohë që duhet të ishte Sarajeva ndalesa e tij e parë zyrtare. Pakënaqësitë mes palëve u shtuan nga mungesa e pranisë së flamurit boshnjak gjatë takimit zyrtar dhe deklaratave për NATO-n duke i konsideruar si sinjale diplomatike nga ana e ministrit Lavrov.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore