Lajme

Pas protestave, Serbia anulon planin për minierën e litiumit


Serbi, protesta kundër ndërtimit të minierës së lithiumit

Pas disa javësh protesta të mëdha, qeveria serbe i ka dhënë fund planifikimit të një miniere të litiumit në Serbi. Protestuesit ende duan të kërkojnë një ndalim të plotë të këtyre minierave.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç ka njoftuar të enjten seka anuluar planin për lejimin e ndërtimit të një miniere të lithiumit ngagjiganti i minierave Rio Tinto.

Vendimi shënon një kthesë për qeverinë pas protestave për disa javë, që nxorën mijëra njerëz në rrugë.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat nga protestat mjedisore dhe i kemi dhënë fund Rio Tintos në Republikën e Serbisë”, tha Brnabiç për mediet serbe.

Pse protestonin njerëzit?

Protestuesit mjedisorë prej muajsh kërkojnë përfundimin e planit. Ata bënë bujë duke bllokuar rrugët kryesore, duke ndalur trafikun në kryeqytet dhe rajone të tjera.

Protestuesit ishin të shqetësuar për sasinë e ndotjes që do të krijonte miniera. Serbia është tashmë një nga vendet më të ndotura në Evropë dhe do të duhet të shpenzojë miliarda për të arritur objektivat e vendosura nga BE për pranimin e mundshëm në bllok.

Por aktivistët u zotuan të vazhdojnë protestat e tyre derisa qeveria të ndalojë tërësisht minierat e litiumit – si dhe boratit.

“Vetëm një hap më shumë! Jemi afër,” shkroi në Twitter kreu i protestës Savo Manjlovic pas njoftimit të kryeministrit.

Qeveria është në pritje të zgjedhjeve të ardhshme

Ndryshimi i mendimit të qeverisë vjen përpara zgjedhjeve në prill. Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet kishte mbështetur fillimisht zhvillimin e minierave në Serbi, por partia ka parë rënie të mbështetjes së saj.

Ylli serb i tenisit Novak Gjokoviç foli gjithashtu në favor të “ajrit të pastër” në dhjetor, duke treguar mbështetjen e tij për protestat.

Brnabiç kishte thënë më herët gjatë muajit, se fati i minierës do të vendosej pas zgjedhjeve, përpara se të ndryshonte mendje.

“Ne po dëgjojmë njerëzit tanë dhe është detyra jonë të mbrojmë interesat e tyre edhe kur mendojmë ndryshe,” tha ajo të enjten.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore