Lajme

Pas marrëveshjes për energjinë, kush do t’i kthejë qindra miliona euro borxh të konsumatorëve serbë ndaj qytetarëve dhe qeverisë së Kosovës?


Njesoret ne Veri

I vendosur para kritikave të qytetarëve e opozitarëve se pse qeveria duhet të paguajë rrymën për serbët në Veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e bëri të ditur se këto para nuk po u falen atyre konsumatorëve, por po jepen si borxh.

“Nuk është se energjia e papaguar do të paguhet prej nesh. Borxhi është borxh, nuk eliminohet, por ne po e menaxhojmë situatën”, kish deklaruar kryeministri kur qeveria vendosi të ndajë miliona euro për të mbuluar shpenzimin e energjisë atje.

Por, me pajtimin e 21 qershorit në Bruksel, mes Kosovës e Serbisë, për udhërrëfyesin e implementimit të marrëveshjes për energjinë, në asnjë nga pikat, nëntë gjithsejtë, nuk përmendet borxhi paraprak i rrymës.

Nga pala kosovare nuk është përmendur më fare ky borxh, por detaje ka dhënë kryenegociatori i Serbisë në Bruksel, Petar Petkoviç.

Gjithashtu, çështja është trajtuar edhe në një komunikatë të Listës Serbe pas marrëveshjes në Bruksel.

Sipas tyre, me udhërrëfyesin e implementimit, për të cilin palët arritën pajtim, nuk parashihet pagesë retroaktive e faturave.

“Marrëveshja e sotme pamundëson pagesën retroaktive”, thuhet në një nga pikat e përmendura në reagimin e Listës Serbe ditën kur u vendos nënshkrimi.

Në anën tjetër, nga pala kosovare nuk kanë dhënë kurrfarë sqarimi për këtë pjesë.

Bëhet fjalë për miliona euro.

“Vetëm në vitin 2021, Kosova ka paguar për konsumatorët në Veri 41 milionë euro”, tregojnë nga KOSTT për Albanian Post.

Për më tepër, deri në vitin 2017 janë qytetarët e Kosovës që kanë paguar për rrymën në Veri, përmes faturave të energjisë elektrike, ku kanë pasur një kosto shtesë 3.5% dhe është shpërndarë borxhi i konsumatorëve në Veri.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 vendosi që kjo praktikë të pezullohej.

Me marrëveshjen e re, kompania Elektrosever, që pronar e ka kompaninë shtetërore serbe të energjisë elektrike, do të marrë licencë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë dhe, më pas, do të fillojë faturimin e energjisë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore