Lajme

“Partnerë alternativë”, për çfarë e pati fjalën Escobar kur kërkoi nga Qeveria themelimin e Asociacionit?


Deklarata emisarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe, ndryshe nga ajo e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka shpërfaqur mospërputhje mendimesh a pikëpamjesh mes SHBA-së dhe Qeverisë për “Zajednicën” e cila është paraparë të themelohet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Escobar po kërkon me doemos të themelohet Unioni, ose në të kundërtën siç theksoi të martën “gjejmë partnerë alternativë”, ndërsa Kurti po ngul këmbë se nëse Serbia do të dëshironte me çdo kusht krijimin e Asociacionit, gjëja e parë që do të bënte do të ishte pranimin i pavarësisë së Kosovës.

Por, për analistin politik Petrit Zogajn, ky mos-bashkërendim për çështjen e Asociacionit duhet të tejkalohet, pasi mendon se ky dallim nuk ka mundësi që ta sjellë një situatë që “të kemi zgjedhje të reja, qeveri të re dhe e cila qeveri do ta pranonte një asociacion që do të pranohej nga të gjitha palët”.

Petrit Zogaj

“Njëkohësisht nuk duket aspak e mundshme që në këtë fazë të ketë një kompozicion tjetër qeverisës në vend. Nuk është kohë e zgjedhjeve, por edhe sikur të ishte, LV dhe Kurti do të ishin fitues të tyre me mënyrë të pa kontestuar. Është jo reale dhe mundet me qenë e dëmshme”, thotë Zogaj për Albanian Post.

A ka vërtet alternativa tjera siç tha Escobar për jetësimin e Asociacionit?

Për Zogajn, “nuk ka”, pasi thekson se nuk mundet ky Asociacion të themelohet jashtë rrugëve institucionale e jashtë qeverisë aktuale.

Veçse Zogaj kërkon që për themelimin e tij të angazhohet kryeministri Kurti, bashkë me të gjitha partitë opozitare, në mënyrë që të krijohet një konsensus me i gjerë në lidhje me asociacionin dhe me një marrëveshje finale me Serbinë.

“Rruga për themelimin e asociacionit është e qartë. Qeveria e Kosovës, duke e respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duhet të fillojë konsultimet me partitë opozitare, me partneret ndërkombëtarë dhe të përfshijë ekspertë nga shoqëria civile në mënyrë që ky asociacion të mos jetë pushtet i tretë, të mos cenojë në asnjë variant sovranitetin e Kosovës, por njëkohësisht të adresojë disa shqetësime të komunitetit serb në vend”, shtoi ai.

Kurse analisti politik, Gazmir Raci, deklaratën e Esobarit për formimin e Asociacionit e sheh si “presion” ndaj Qeverisë që të lëvizë në këtë drejtim.

“Ndoshta për të parë mundësit e rritjes se presionit publik ndaj institucioneve të vendit për t’i përmbushur obligimet që ka Kosova nga dialogu i Brukselit”, potencon ai për AP.

Gazmir Raci

Megjithatë, ai fajëson kryeministrat e mëhershëm që nuk e kanë themeluar Asociacionin, por ka edhe kritika për Serbinë e cila sipas tij, nuk po i zbaton disa nga marrëveshjet e arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këtij obligimi Kosova që nga viti 2015 nuk i ka dhënë përgjigje, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese as Qeveria Haradinaj e as ajo Hoti nuk qenë në gjendje me lëvizë asgjë në drejtim të zbatimit të marrëveshjes për asociacionin”, potencon ai.

“Edhe hipokrizi tani nga partitë e këtyre dy ish kryeministrave t’i kërkohet me ngulm zbatimin e Asociacionit. Nuk është vetëm kjo marrëveshje që nuk po zbatohet. Serbia ka disa marrëveshje që nuk po i zbaton, si ajo e targave, energjisë, diplomat apo edhe kthimin e dokumentacionit kadastral”.

Të martën, Escobar, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se menjëherë duhet të fillojë puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe.

Madje, ai potencoi se nëse nuk e merr iniciativën Qeveria, SHBA-të mund të zhvillojnë diskutime me “partnerë alternativë”.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja fillestare për Asociacionin e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Por, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013.

Megjithatë, Gjykata kishte konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.

Escobar: Diskutimet për Asociacionin duhet të fillojnë – nëse jo, ne gjejmë partnerë alternativë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore