Lajme

Parlamenti i ri tunizian jo vetëm që do të ketë pak kompetenca, por edhe pak gra


Tunizianët do të votojnë në zgjedhjet që do të çojnë në një parlament  “thuajse ekskluzivisht të dominuar nga burrat”.

Aktivistët paralajmërojnë për një përkeqësim të ashpër të të drejtave të grave nën një president gjithnjë e më autoritar.

Zgjedhjet e bojkotuara nga të gjitha partitë kryesore, shënojnë lëvizjen e fundit të një figure kushtetuese që Presidenti Kais Saied nisi ta formonte në korrik 2021.

Asokohe ai pezulloi legjislaturën në atë që kritikët e quajtën një rrëmbim pushteti.

Pas lëvizjes së Saied për të futur një ligj zgjedhor pa asnjë nga dispozitat e barazisë gjinore, parlamenti i ri jo vetëm që do të ketë pak kompetenca, por edhe pak gra.

Vetëm 122 kandidate femra, krahasuar me 936 meshkuj, janë miratuar për të kandiduar, sipas komisionit zgjedhor.

Kjo nënkupton se dhoma e re me siguri do të duket shumë e ndryshme nga ajo e zgjedhur në vitin 2014, kur gati një e treta e deputetëve ishin gra.

Përveç heqjes së një kërkese që listat e kandidatëve të alternohen midis gjinive, ligji i ri parashtron kërkesa shtesë që prekin në mënyrë disproporcionale gratë që duan të kandidojnë.

“Parlamenti tunizian ishte dikur shembulli i barazisë gjinore në rajon. Me këto ndryshime të reja në ligj, kjo së shpejti mund të jetë histori”, ka thënë Salsabil Chellali, drejtuese tuniziane e  Human Rights Watch.

Sakaq, braktisja e angazhimeve të barazisë vjen në një kohë shqetësuese për gratë në një vend që prej kohësh krenohej si më feministi në rajon.

Të sanksionuara në ligj që nga agimi i kombit të pavarur në vitin 1956, një grup thelbësor i të drejtave të grave, duke përfshirë ndalimin e martesave të shumëfishta dhe divorcin e njëanshëm të detyruar, u ndërtuan në dekadat që pasuan.

Tani, disa mendojnë se përparimi është ndalur.

“Kulturalisht, gjërat po përkeqësohen”, ka thënë aktivistja e njohur Henda Chennaoui.

Nga ana tjetër, mbështetësit e presidentit – i cili në korrik mbajti një referendum të kritikuar për mungesë transparence, por që rezultoi në mbështetje dërrmuese për kushtetutën e re – i hedhin poshtë këto akuza.

Ata theksojnë se ishte ai që vitin e kaluar emëroi kryeministren e parë femër të çdo vendi arab, ish-nëpunësja civile dhe inxhinierja gjeologjike, Najla Bouden.

Por fjalimet publike të Bouden kanë qenë të pakta dhe kritikët kanë pohuar se kishin të drejtë të parashikonin se ajo do të bëhej thjesht një funksionare e presidentit.

Po ashtu Saied ka ofruar mbështetjen e tij të plotë për ligjet e trashëgimisë islame të vendit, të cilat favorizojnë burrat, në kurriz të qasjes më progresive të përkrahur nga paraardhësi i tij, Beji Caid Essebsi.

Ligji i ri, në të cilin nuk përmendet barazia gjinore, u kërkon gjithashtu kandidatëve të mundshëm të dorëzojnë 400 nënshkrime të votuesve të regjistruar nga zonat e tyre zgjedhore dhe të vetëfinancojnë ose financojnë privatisht fushatën e tyre.

Të dyja këto i vendosin shanset kundër grave, “të cilat kanë më pak gjasa të kenë të njëjtat rrjete të fuqishme lokale për të sponsorizuar kandidaturën e tyre dhe të njëjtat mjete financiare si homologët e tyre meshkuj”, sipas Chellali.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore