Kosova

Parlamenti Evropian do të miratojë një rezolutë për situatën në Kosovë


Në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, deputetët kanë votuar me 296 vota pro që të miratohet një rezolutë për situatën në Kosovë.

“Ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi në veri dhe mendojmë se është e rëndësishme që të miratohet rezoluta”, tha deputeti Tonino Picula, propozuesi në emër të grupit parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve.

Por, seanca ku do të diskutohet rezoluta do të mbahet pas dy javësh, raporton Europeanëesternbalkans.rs.

Kujtojmë se edhe të martën, më 3 tetor, Parlamenti Evropian do të diskutojë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian, pas përkeqësimit të situatës pas vrasjes së rreshterit Afrim Bunjkau në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

“Përfaqësuesi i lartë i BE-së dënoi ashpër sulmin e një grupi të armatosur ndaj policëve të Kosovës në Veri të dielën, më 24 shtator, në të cilin u vra një polic dhe tre sulmues”, thuhet në deklaratën e PE-së.

Ndryshe, Parlamenti Evropian në dy raportet që u miratuan në muajin maj, i ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në dialog nën kujdesin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale janë zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore