Shqipëria

Parku Kombëtar i Butrintit nuk do të tjetërsohet, thotë Margariti


Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti, ka ritheksuar se Parku Kombëtar i Butrintit është pronë shtetërore dhe nuk do të tjetërsohet.

Deklarata e saj erdhi gjatë debateve në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.

Kjo, në lidhje me menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, kritikoi zyrtaren shqiptare lidhur me procedurat e ndjekura, për administrimin e sitit arkeologjik nga një fondacion privat.

Sipas Spahos, qeveria shqiptare duhet të japë shpjegime se përse duhet një fondacion privat kur administrimin mund ta kryejë edhe vetë shteti.

“Prona nuk tjetërsohet. Nuk ka asgjë abuzive në këtë skemë. Unë do të jem kryetarja e bordit, do ta menaxhojmë vetë”, nënvizoi Margariti.

Ndërkaq, deputetja e PD-së Ina Zhupa ka deklaruar se Butrinti po jepet falas për 10 vite me koncesion.

“Ky nuk është një debat mes të majtës dhe të djathtës. Kjo lidhet me patriotizmin përkundrejt atyre që duan ta falin”, shtoi ish-zëdhënësja e PD-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore