Lajme

Parkingu Nëntokësor i Prishtinës drejt finalizimit, thotë Rama


Foto e postuar nga Perparim Rama ne Facebook

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Parkingu Nëntokësor në kryeqytet është drejt finalizimit dhe se hapja zyrtare pritet të bëhet në muajin nëntor.

“Parkingu Nëntokësor i Prishtinës po përfundon. 90 për qind  e punimeve veçse janë kryer, e hapja zyrtare pritet të bëhet në nëntor”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Ndryshe, parkingu i cili është paraparë të ketë afërsisht 700 vendparkime dhe rreth 23 mijë metra katrorë, pritej të përfundonte gjatë verës së këtij viti.

Detajet e kontratës i kishte bërë të ditura, drejtori i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota.

“Operatori Ekonomik është i obliguar, që për maksimum 24 muaj nga korriku t’i përfundoj punimet. Kontrata është nënshkruar në vitin 2019, ndërkaq certifikata e datës efektive në korrik të vitit 2020”, kishte thënë ai për Albanian Post.

Tenderin e Partneritetit publiko-privat e ka fituar konsorciumi Italiano-Kosovar: Pessina Construzioni & Jaha.

Hapësira publike mbi parking do të ketë pushimore, hapësirë komerciale, lojë dhe rekreacion, hapësirë për këmbësorë dhe biçikleta, hapësirë për aktivitete kulturore.

Ky parking do të jetë në hapësirat e Universitetit të Prishtinës.

Punimet në ndërtimin e parkingut nëntokësor tek Fakulteti Filologjik aktualisht janë duke vazhduar dhe sipas planifikimeve pritet të përfundoj shpejtë dhe besohet se do ta zgjidhë problemin e parkingjeve për makina në kryeqytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore