Lajme

Paris: Policia qëllon një grua në stacion pas kërcënimeve


Policia franceze kundër terrorizmit ka qëlluar një grua e cila thuhet se po kërcënonte kalimtarët në jug të Parisit.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Një burim policor i tha botimit britanik se ata ndërhynë në stacionin e trenit “Bibliothèque François-Mitterrand” të martën pasi u alarmuan nga pasagjerët.

Gruaja, që thuhet se mbante një hixhab, thuhet se kërcënoi të hidhte veten në erë.

Kur ajo refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë, ata hapën zjarr, raporton “BBC” duke cituar burimin.

Gruaja thuhet se u dëgjua duke bërtitur “Allahu Akbar”, ose “Zoti është më i madhi”.

Sipas multimedialit, ajo është në gjendje kritike, por të qëndrueshme pasi u qëllua në bark.

Incidenti vjen në mes të tensionit të rritur në Francë të shkaktuar nga lufta Izrael-Hamas.

Në fillim të këtij muaji, një mësues u vra dhe dy persona u plagosën rëndë në një shkollë në Francën veriore nga një sulmues i cili thuhet se bërtiti “Allahu Akbar”.

Pas incidentit, Franca ngriti alarmin e saj të sigurisë kundër terrorizmit në nivelin më të lartë.

Rajoni i Parisit është tronditur gjithashtu nga një valë incidentesh anti-semitiste ditët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore