Lajme

Paraburgosen sulmuesit e Valon Syles


Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, që ndodhi me 11 prill.

Masa e paraburgimit ndaj tyre është vendosur për një muaj, ndërsa vepra penale për të cilën akuzohen është “nxitje e përqarjes dhe mos durimit”.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Nxitja e përqarjes dhe mos durimit nga neni 141 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit kundër  të pandehurve L.D, K.H dhe O.H,  e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Ndërsa, është sqaruar se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më 12 prill ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se sulmuesit e gazetarit Valon Syla janë identifikuar dhe shumë shpejt ata do të sillen para drejtësisë, njoftoi të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Syla, i cili ka qenë viktimë e sulmeve fizike për komentet e tij edhe në të kaluarën, në disa postime në rrjetet sociale, kritikoi edhe Bashkësinë Islame të Kosovës, veçanërisht kreun e saj, Naim Tërnava, për siç tha ai, “luks” të tepruar dhe sjellje si të figurave të showbiz-it

Sulmi ndaj gazetarit Syla ka nxitur reagimin e institucioneve të vendit, partive politike, gazetarëve, diplomatëve dhe shoqërisë civile në Kosovë, të cilët e kanë dënuar ashpër rastin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore