Shqipëria

“Paqebërësi” Kovaçevski


Tre ditë diskutime në Parlament, ishin më në fund “të mjaftueshme” për ligjvënësit në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që të kalohej votimi kuvendor për propozimin francez  rreth zgjidhjes së konfliktit mes Shkupit dhe Sofjes, nëpërmjet dialogut (pas hapjes zyrtare të negociatave me Bashkimin Evropian).

Një debat, i cili ishte atipik, për shkak se mazhoranca praktikisht refuzoi të bëhej pjesë e foltores – me raste shumë margjinale.

Por, edhe kur këto raste merrnin një shkëndijë të vakët, dallga opozitare vinte menjëherë përballë për ta shuar.

Kështu i ndodhi edhe kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, kur ai kërkoi të fliste në foltoren e Parlamentit. Askush nuk e la të nxirrte një fjali të plotë e të artikuluar nga mendimi i tij.

Kështu që, një mënyrë e ndryshme e komunikimit publik duhej zgjedhur brenda sallës nga Kovaçevski.

“Mosinteresimin” e tij mbi kundërshtinë e opozitës për çështjen, kryeministri maqedonas e ktheu me “ngazëllimin” për një libër të një diplomati të ndjerë amerikan, James Perdue.

Perdue, u shua në qershor 2021 në moshën 77-vjeçare. Mirëpo ai nuk është dokushdo për historinë e Ballkanit.

Në vitin 2001, diplomati ishte ndërmjetësues në marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001, e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë asokohe dhe përfaqësuesve të minoritetit shqiptar në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Në fakt, kjo marrëveshje, ishte pikërisht ajo e cila i dha fund një konflikti të armatosur civil ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe shtetit maqedonas.

Ali Ahmeti, ishte drejtues kryesor i asaj që njihet si UÇK-ja maqedonase, e përbërë nga shqiptarët, të cilët ishin dhe vijojnë të jenë pakicë kombëtare me shumë rëndësi në vendin fqinj.

Perdue, kujtimet dhe pikëvështrimet mbi këto përjetime që ka pasur në Ballkan, përfshi edhe angazhimin në Kosovë me implementimin e marrëveshjes së paqes me Serbinë, i la të përjetësuara në librin “Paqebërësit” (Peacemakers në origjinalin).

Këtë libër e mbante në dorë Kovaçevski, i cili Ali Ahmetin dhe shqiptarët nuk i kishte përballë në kundërshti me qasjen e tij, por përkrah për avancimin integrues të vendit dhe të vetë Shqipërisë bashkë me të.

I ulur në vendin e tij në Parlament, kryeministri maqedonas u fotografua disa herë me librin në dorë, si për t’i thënë kundërshtarëve të VRMO-DPMNE-së se viti nuk është më 2001-shi dhe pavarësisht se ndërmjetësit ndërkombëtarë (paqebërësit) nuk kanë më rol për shuarjen e konfliktit të armatosur, por të dialogut diplomatik, ata gjenden aty, siç e faktoi edhe fjala e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në adresimin e saj përpara deputetëve maqedonas ditën e parë të debatit tre-ditor.

Rruga evropiane e çel derën të martën sipas Komisionerit për Zgjerimin pranë BE-së, Oliver Varhelyi.

Me “Paqebërësit” ose jo, Kovaçevski do të jetë aty dhe në sytë e evropianëve, emërtimin e ka fituar.

Me shqiptarët, së bashku, propozimi francez kaloi dhe problemet me BE-në u shmangën.

Me kundërshtarët politikë në Shkup ama, u ashpërsuan…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore