Lajme

Papa Françesku u kërkon hungarezëve t’i hapin dyert për emigrantët


Papa Françesku u ka kërkuar hungarezëve që të “hapin dyert” për emigrantët, duke i dhënë fund vizitës së tij në vend të udhëhequr nga një kabinet nacionalist kundër emigracionit.

Duke folur në një meshë të hapur në kryeqytetin Budapest, Papa tha se ishte “e trishtueshme dhe e dhimbshme” të shihje dyer të mbyllura për njerëzit që “nuk ishin si ne”.

Deri në 100 mijë njerëz morën pjesë në meshë, përfshirë kryeministrin Viktor Orban.

Orban ka kritikuar migrimin, duke ndërtuar një gardh kufitar me tela me gjemba për të ndaluar emigrantët të kalojnë në Hungari.

Duke iu drejtuar turmës pranë ndërtesës së parlamentit hungarez të dielën, Papa Françesku iu lut të gjithëve – përfshirë “ata me përgjegjësi politike dhe sociale” – të jenë më të hapur.

Ai po fliste për “dyert e mbyllura të egoizmit tonë ndaj të tjerëve, dyert që i mbyllim ndaj atyre që janë të huaj apo ndryshe nga ne, ndaj emigrantëve apo të varfërve”.

Gjatë meshës, Papa argjentinas, 86 vjeç, iu referua gjithashtu pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i nisur në shkurt 2022.

Ai u lut për “popullin ukrainas të rrethuar dhe popullin rus” dhe për “një të ardhme shprese, jo luftë”.

Më vonë, gjatë fluturimit për në shtëpi, ai tha se Vatikani ishte përfshirë në një mision paqeje në përpjekje për t’i dhënë fund luftës.

“Ka një mision në rrjedhë tani, por nuk është ende publik. Kur të jetë publik, do ta zbuloj”, u tha ai gazetarëve.

Papa tha gjithashtu se Vatikani ishte i gatshëm të ndihmojë në lehtësimin e kthimit të fëmijëve ukrainas të marrë në Rusi që nga pushtimi. Kievi thotë se mijëra fëmijë ukrainas janë deportuar në Rusi dhe e quan atë një krim lufte.

Ai shtoi se kishte diskutuar për konfliktin e Ukrainës me Orban dhe një përfaqësues të Kishës Ortodokse Ruse.

Vizita tre-ditore ishte udhëtimi i parë madhor i Papa Françeskut në Hungari që kur u bë Papë 10 vjet më parë.

Ajo që e mbajti larg ishte qëndrimi i ashpër anti-migrant i Orban, në kontrast me dhembshurinë e tij për të gjithë refugjatët, thotë Nick Thorpe i medias britanike “BBC” në Budapest.

Ajo që e solli në vend, përveç mbështetjes për katolikët, ishte lufta në Ukrainë, shton korrespondenti.

Hungaria dhe Ukraina ndajnë një kufi prej 134 kilometrash.

Ndryshe nga liderët e tjerë të Bashkimit Evropian, Orban ka refuzuar të mbështesë ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka mbajtur marrëdhënie me presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë vizitës së kalibruar me kujdes në Hungari, Papa takoi njerëz të të gjitha sferave të shoqërisë, duke përfshirë të rinjtë, të varfërit, politikanë dhe akademikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore