Lajme

Palmer në Bosnje – “Duhet të ndryshohet Kushtetuta, dhe kjo s’është gjë e lehtë”


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reformën Zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Reformën Zgjedhore në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH), pas takimeve në Neum me përfaqësuesit politik të BeH-së, ka deklaruar se “nevojitet të ndryshohet Kushtetuta”, dhe se kjo “nuk është proces i lehtë”.

“Kemi bërë punë të mirë. Bisedimet për reformën zgjedhore po ndodhin në një frymë të sinqertë dhe të hapur, por çështjet janë të vështira dhe marrin kohë”, deklaroi Palmer për media.

“Mendoj se është e qartë për të gjihë, se për të qenë në pajtim me gjykimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut, do të jetë e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta. Kjo nuk është proces i lehtë”, vazhdoi ai.

Palmer bëri të qartë se diskutimet mbi modelet elektorale dhe funksionaliteti i institucioneve në nivelin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, është një gjë që kërkon punë dhe dedikim të madh.

“Nuk i kemi propozimet dhe planet konkrete. Qe pesë ose gjashtë muaj po bisedojmë me palët për këto probleme që duam t’i zgjidhim. Jemi këtu për të krijuar diçka që i përshtatet të gjithëve”, transmeton Slobodna Bosna.

Pyetur se çka nëse dështojnë negociatat, ai tha se “po përqendrohemi sot për sot. E nesërmja është e nesërme”.

Matthew Palmer ka thënë se është e domosdoshme që populli kroat në BeH-, si popull konsituent, të ketë përfaqësim të njëjtë politik me dy popujt e tjerë, respektivisht boshnjakët dhe serbët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore