Lajme

Pakistan: U akuzua për blasfemi, vrasja brutale e një 48-vjeçari ndezi protesta në Sri Lanka


Vendi ku Priyantha Diyawadanage u vra nga turma myslimane të premten, 3 dhjetor 2021.

Një vrasje brutale e një burri nga Sri Lanka – i akuzuar për blasfemi – nga turma në Pakistan ka ndezur protesta në të dy vendet, me liderin pakistanez duke dënuar dhunën vigjilente.

Priyantha Diyawadanage, 48 vjeç, menaxher fabrike në qytetin e Sialkot, u rrah për vdekje të premten dhe trupi i tij u dogj.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka deklaruar se më shumë se 100 persona janë arrestuar deri më tani, duke e cilësuar incidentin si një “ditë turpi” për vendin e tij.

Familja e viktimës në Sri Lanka i ka thënë medias britanike “BBC” se janë të dëshpëruar.

Oficerët e policisë qëndrojnë roje në vendin ku Priyantha Diyawadanage u vra nga turma myslimane jashtë një fabrike në Sialkot, Pakistan, të premten, 3 dhjetor 2021.

Gruaja e tij, Nilushi Dissanayaka, u bëri thirrje qeverive të Pakistanit dhe Sri Lanka-s që të kryejnë një hetim të plotë për të “sjellë drejtësi për burrin dhe dy fëmijët e mi”.

“Pashë që ai po sulmohej në internet, ishte kaq çnjerëzore”, tha ajo.

Videot e linçimit u përhapën në mediat sociale gjatë fundjavës dhe treguan skena të turmës së inatosur që tërhiqte Diyawadanage nga vendi i tij i punës, duke e rrahur për vdekje.

Më pas, ata dogjën trupin e tij dhe disa njerëz në turmë u panë, duke bërë “selfie” me kufomën e tij.

Vdekja e dhunshme e Priyantha Diyawadanage ka nxitur protesta në të gjithë Pakistanin dhe Sri Lanka
Çfarë çoi në dhunën e turmës?

Policia lokale bëri me dije se dhuna kishte filluar, pasi u përhapën thashethemet se Diyawadanage dyshohej se kishte kryer një veprim blasfemie, duke rrëzuar postera me emrin e Profetit Muhamed.

Por një koleg, i cili nxitoi në vendngjarje në përpjekje për ta shpëtuar, i tha “Associated Press” në Pakistan se Diyawadanage kishte hequr vetëm posterat, pasi ndërtesa ishte gati të pastrohej.

Edhe gruaja e tij ka hedhur poshtë pretendimin për blasfemi.

“Unë i refuzoj plotësisht raportet që thoshin se bashkëshorti im ka rrëzuar postera në fabrikë. Ai ishte një njeri i pafajshëm”, tha ajo për “BBC”-në.

Shkalla e vrasjes së egër e së premtes – ku përfshiheshin qindra njerëz – ka tronditur kombin dhe ka ndezur protesta.

Nilushi Dissanayaka gruaja e Priyantha Diyawadanage

Khan dënoi “sulmin e tmerrshëm vigjilent” dhe u zotua se “të gjithë ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen me ashpërsinë e plotë të ligjit”.

Blasfemia përkufizohet si të folurit fyes për një fe ose zot të caktuar. Në Pakistan, mund të ketë një dënim të mundshëm me vdekje për këdo që fyen Islamin.

Ligji i vendit për blasfeminë ndalon shqetësimin e një asambleje fetare, shkeljen e varrezave, fyerjen e besimeve fetare ose shkatërrimin ose ndotjen e qëllimshme të një vendi ose objekti adhurimi.

Bërja e komenteve nënçmuese kundër personazheve islamike është një shkelje – dhe në vitin 1982, u shtua një klauzolë që parashikonte burgim të përjetshëm për përdhosjen “e qëllimshme” të Kuranit, librit të shenjtë mysliman.

Në vitin 1986, një klauzolë e veçantë u fut për të ndëshkuar blasfeminë kundër Profetit Muhamed dhe dënimi i rekomanduar ishte “vdekje ose burgim i përjetshëm”.

Në Pakistan, edhe akuzat e pabaza mund të nxisin protesta dhe dhunë nga turma kundër autorëve të dyshuar.

Kritikët e të drejtave të njeriut kanë argumentuar prej kohësh se pakicat janë shpesh objektiv i akuzave.

Ai tha se kishte folur gjithashtu me presidentin e Sri Lanka-s Gotabaya Rajapaksa “për të përcjellë zemërimin dhe turpin e kombit tonë te populli i Sri Lanka-s”.

Autoritetet e Sri Lanka-s ende nuk kanë komentuar plotësisht mbi rastin, nga frika e trazirave të mundshme dhe ndëshkimit kundër komuniteteve myslimane në vend.

Trupi i Diyawadanage do të kthehet në Sri Lanka të hënën dhe disa presin që protesta të mbahen në kryeqytetin Colombo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore