Lajme

Pajisja e serbëve me pasaporta dhe targa, Kurti: Vërehet interesimi për integrim


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një video-mesazhi drejtuar komunitetit serb në Kosovë, ka folur për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) dhe liberalizimin e vizave (1 janar 2024), por edhe rritjen e interesimit të serbëve lokalë për t’u pajisur me pasaporta dhe targa të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se anëtarësimi në KiE sjell avantazhe për të gjithë qytetorët, veçanërisht për anëtarët e komuniteteve joshumicë, sidomos sa i përket qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg të Francës, ndërsa ka shtuar shtuar se për këtë arsye anëtarësimi në KiE është mënyra më e mirë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të gjithëve.

“Ne e dimë se anëtarësimi sjell avantazhe, veçanërisht për anëtarët e komuniteteve joshumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Për këtë arsye ne i jemi përkushtuar aplikimit për anëtarësim si mënyra më e mirë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të secilit në Kosovë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit kosovar të enjten.

Ai është shprehur i kënaqur për rritjen e interesimit të qytetarëve serbë të Kosovës për të marrë pasaporta kosovare në mënyrë që nga 1 janari 2024 të lëvizin pa viza në zonën Schengen, pa përjashtuar faktin se vetëm gjatë javëve të fundit, mijëra serbë të Kosovës i kanë regjistuar automjetet, duke hequr dorë nga targat ilegale serbe të lëshuara nga Serbia.

“Jemi të kënaqur që interesimi për përdorimin e kësaj mundësie po përhapet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, me një rritje prej rreth 30 për qind të aplikimeve për pasaporta biometrike këtë vit krahasuar me të kaluarin”.

Sa i përket pajisjes së serbëve të Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kryeministri Kurti ka thënë se marrë parasysh që mbi 3 mijë pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri tani kanë ndërruar targat ilegale, vërehet interesimi i serbë për integrim në shoqërinë kosovare, derisa ka shtuar se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore