Shqipëria

Paga mesatare në Shqipëri në trend rritës krahasuar me Rajonin


Paga mesatare në Shqipëri karakterizohet nga një trend rritës, ndonëse mbetet sërish në nivelet më të ulëta.

Kjo sipas një analize të zhvilluar nga “Open Data Albania”, ku krahasohet niveli i pagave në Shqipëri nga viti 2001 deri në tremujorin e parë të vitit 2021, me ato të Ballkanit Perëndimor (BP).

Sipas Open Data, Shqipëria shfaqet në vendet e rajonit me pagat më të ulëta në rajon.

Në vitin 2001 paga mesatare bruto për një punonjës ishte rreth 17 mijë e 218 lekë, ndërsa në vitin 2020 niveli i pagës mesatare është rritur me më shumë se 200% duke arritur në vlerën 53 mijë e 662 lekë.

Ndonëse, sipas publikimit të bazuar nga Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT), Instituti i Bashkimit Evropiane i Statistikave (EUROSTAT) dhe platforma Trading Economics, ndryshimi me bazë vjetore e pagës mesatare në Shqipëri është karakterizuar nga trendi rritës, sërish vihen re luhatje të shpeshta.

Deri në vitin 2009, sipas Open Data, vihet re një rritje dhe me terma dyshifrorë, si në vitin 2007, ku shënohet rritja më e lartë me rreth 17% më shumë se paga mesatare e vitit 2006.

Ndërsa në vitin 2015 ka një kthesë të trendit ku shënohet rënia më e madhe pagës mesatare, 11.7% më e ulët se paga e vitit 2014. Rritja e numrit të punonjësve formalë, shumica e të cilëve me pagë minimale, ka sjellë përcaktimin e një niveli më të ulët të pagës mesatare.

Në katër vitet e fundit, Open Data ka konstatuar se sektori shtetëror paguhet mesatarisht 33% më shumë se sektori privat.

Një nga faktorët që shpjegon trend rritës të pagës mesatare, nga analiza e bërë e Open Data, rezulton të jetë rritja e pagës minimale që përcaktohet me ligj. Konkretisht nga 24 mijë lekë në vitin 2018 në 30 mijë lekë për vitin 2021, duke e klasifikuar si rritjen më të madhe pas vitit 2006.

Shqipëria ka pagën mesatare më të ulët ndërmjet vendeve të Ballkanit, thuhet në analizë, ndërsa pagën mesatare më të lartë në BP e ka Mal i Zi me rreth 787 Euro. Kurse paga mesatare për Ballkanin Perëndimor, llogaritet të jetë rreth 655 Euro.

Vendi ynë shfaqet në vendet e rajonit me pagën minimale më të ulët, rreth 244 euro, pas Kosovës.

Në raportin e publikuar në mes të gushtit rezulton se, Serbia aktualisht ka nivelin më të lartë të pagës minimale me rreth 366 Euro në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Paga mesatare në Ballkan dhe Fqinjët është rreth 1070 euro, ku vlerën më të ulët e ka Shqipëria rreth 436 euro, ndërsa pagën mesatare mujore më të lartë, mbi 2400 Euro e ka Italia.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore