Lajme

Pacolli thumbon ata që e braktisën


Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka thumbuar ata që i ikën nga subjekti i tij politik, por pa i përmendur emrat.

Nga ajo që ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij në Facebook, lë të nënkuptohet se bëhet fjalë për Mimoza-Kusari-Lilën dhe Agim Bahtirin, të cilët “e tradhtuan” pabesisht, duke i ikur nga AKR-ja dhe duke u bërë pjesë të një tabori tjetër politik.

Thumbimi i Pacollit ka ardhur vetëm dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale, ku Agim Bahtiri i cili ishte zgjedhur kryetar i qytetit të Mitrovicës nga radhët e AKR-së por që kishte “ikur” nga ky subjekt duke kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje, ka humbur garën qysh në raundin e parë nga kundër kandidati Bedri Hamza i Partisë Demokratike (PDK) me një rezultat 53.86% kundrejt 34.40%.

Ndërsa Mimoza Kusari-Lila e cila ishte zgjedhur për një mandat në krye të qytetit të Gjakovës nga radhët e AKR-së, në zgjedhjet e fundit ajo ka garuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shkuar në balotazh, por që ka mbetur prapa kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini me një rezultat të thellë prapa, përkatësisht 46% me 37.08%.

Pacolli tutje ka shkruar se është përdorur gjuhë e ndyrë ndaj tij nga “gnjeshtarët” dhe “mosmirënjohësit”, mirëpo këto gjëra sipas tij “ndikojnë negativisht në kualitetin e jetës dhe kthehen gjithmonë si ‘bumerang’ në kurriz të secilit”.

Ai tutje ka thënë se në përvojën e tij “njerëzit që më kanë braktisur me dashakeqësi kanë tentuar të më lëndojnë ose më kanë tradhtuar në jetë, çuditërisht kanë dështuar”, duke lënë të nënkuptoj se bëhet fjalë për Kuari-Lilën dhe Bahtirin.

“Unë besoj se njerëzit e mirë shpërblehen dhe të këqinjtë ndëshkohen nga jeta. Herët apo vonë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore