Lajme

Osmani uron gratë për 8 mars: “Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, mos ndaloni kurrë së besuari”


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpërndarë një fotografi në llogarinë e saj në Facebook, në përqafim e shoqëri të tri vajzave.

“Le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë ose politikë, gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit”, ka shkruar Osmani.

“Ato munden, sepse kanë potencial”.

“Le të zotohemi të gjithë që ta bëjmë secili pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, që  potenciali i çdo gruaje të vijë në shprehje maksimalisht. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë ku gratë janë të barabarta e të lira për t’i përmbushur synimet e tyre”, ka thënë presidentja.

Në fund, Osmani u është drejtuar të gjitha vajzave e grave të vendit duke u thënë se si sot e çdo ditë tjetër “mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari”.

 

Pikërisht më 8 mars, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani morri dhuratë simbolin e Prishtinës “Hyjnesha në fron”.

Këtë dhuratë, asaj ia ka dhuruar Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili e ka pritur të parën e shtetit në vizitë në komunë.

Rama këtë simbol ia dhuroi Osmanit si shenjë respekti për vizitën e saj të parë si presidente në komunën e kryeqytetit, si dhe për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Presidentja e falënderoi të parin e Prishtinës për dhuratën.

“Hyjnesha në fron është simbol i gruas së fortë”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke pranuar simbolin e kryeqytetit “Hyjnesha në fron”, nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka nisur mbledhjen e sotme të Qeverisë me një urim për gratë në Ditën Ndërkombëtare të tyre, 8 Marsin.

Kurti ka thënë se në ditën ndërkombëtare të grave nderojmë sukseset që ato i kanë arritur historikisht.

“Sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave që nuk janë më, e luftojmë bashkë me gratë e vajzat për më shumë të drejta e barazi. Qeveria jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale që e lehtësojnë barrën e padrejtë3sive që gratë mbajnë mbi supet e tyre”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se prej shtëpisë e deri te institucionet ta bëjmë Kosovën më të barabartë. “Gëzuar 8 Marsi dita ndërkombëtare e gruas”, tha Kurti.

Kurti shtoi se sot nderojmë e kujtojmë edhe kontributin e grave në luftën çlirimtare.

Ditën ndërkombëtare të gruas e ka uruar edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Duke u kujdesur që këtë ta bëj që në fillim të seancës plenare të zakonshme e cila ka filluar të mbahet këtë të mërkurë, nga ora 12:00.

Konjufca në urimin e tij, kërkon që barazia gjinore të arrihet sa më shpejt.

“Të gjitha grave e vajzave po jua urojmë 8 Marsin, Ky urim nuk është për gjendjen, por për  përpjekjet e vazhdueshme për një barazi gjinore, që në të  gjithë botën është larg të arrihet, si ideale, si barazi që e synojmë. Kërkojmë që secili prej nesh të punojmë që kjo  të arrihet më shpejt”, ka thënë Konjufca.

Ai tha shpreson që të mos jetë e vërtetë ajo që tha sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara që duhen treqind vjet të arrihet kjo barazi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore