Lajme

Osmani udhëton drejt Malit të Zi, merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri Jakov Milatoviç


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë këtë të shtune në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

“Osmani ka theksuar se pjesëmarrja në këtë ceremoni është riafirmim i përkushtimit të vazhdueshëm për miqësi dhe bashkëpunim në rrugën e përbashkët euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Ndërkaq Milatoviç betimin e tij do ta bëjë në Kuvend, nga aty ai do të jetë zyrtarisht president i Malit të Zi.

Ceremonia e inaugurimit do të fillojë në ora 12:00 në parlamentin e Malit të Zi.

Siç është paralajmëruar, kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviç do ta hapë seancën, e më pas do të këndohet himni kombëtar malazez.

“Pas kësaj, Milatoviç do të bëjë betimin dhe do të mbajë fjalimin inaugurues, i cili do të shënojë marrjen e detyrës si president i Malit të Zi”, thuhet në komunikatën e Kuvendit malazez, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.

Sipas protokollit të paraparë në këtë ditë, në orën 17:30 do të organizohet një koktej nga presidenti i Malit të Zi dhe bashkëshortja e tij në Villa Gorica.

Presidenti në Mal të Zi ka mandat pesëvjeçar.

Në këtë pozitë Milatoviç, do ta zëvendësojë veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç, të cilin e mposhti në zgjedhjet e 2 prillit.

Ndryshe, Mali i Zi është vendi i fundit që është shkëputur nga Jugosllavia, dhe kjo jo më larg se në vitin 2006. Lëvizjen për shkëputjen nga Jugosllavia e kishte udhëhequr presidenti i deritanishëm malazez, Milo Gjukanoviç.

Kur Kosova e shpalli pavarësinë e saj, me 17 shkurt të vitit 2008, Mali i Zi vetëm disa muaj më pas, saktësisht me 9 tetor 2008, e kishte njohur pavarësinë e saj. Kryeministër në atë kohë ishte Gjukanoviç.

Njohja nga Mali i Zi për Kosovën ishte mjaft e rëndësishme, pasi që një vend fqinje po pajtohej me mëvetësinë e saj. Ishte vendi i 49 që e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore