Lajme

Osmani takohet me ambasadorin amerikan – diskutojnë për sulmin rus në Ukrainë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ku kanë biseduar për luftën në Ukrainë.

Këtë e ka bërë të ditur Osmani përmes një postimi në rrjetin social ‘Twitter’ .

“Jam takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë për të diskutuar zhvillimet pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimit rajonal të tij. Ne dënojmë fuqishëm agresionin e Rusisë dhe jemi plotësisht të rreshtuar me aleatët për të parandaluar çdo destabilizim të rajonit tonë. Ne qëndrojmë me Ukrainën”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Edhe Hovenier, gjithashtu ka njoftuar për takimin ai ka thënë se SHBA-ja dhe Kosova janë bashkë dhe përkrahin plotësisht Ukrainën.

“Një bisedë të rëndësishme me Vjosa Osmanin sot në lidhje me sulmin e paprovokuar të Rusisë dhe pushtimin masiv të Ukrainës, të cilin e dënojmë në mënyrën më të fortë të mundshme. Kosova dhe SHBA-ja përkrahin plotësisht dhe qëndrojnë me Ukrainën”, ka shkruar Hovenier.

Të enjten e 24 shkurtit, Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, duke bombarduar disa qytete, ndërsa i është afruar rajonit të kryeqendrës ukrainase Kiev.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore