Lajme

Osmani: Përkushtimi i SHBA-së ndaj Kosovës është i palëkundur


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee, ka deklaruar se kontributi i USAID-it në Kosovë është shembull i përkushtimit të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj Kosovës.

Osmani, në fjalimin e saj është shprehur se konsideron se angazhimi i tyre është dëshmi e angazhimit të punës së USAID-it me partneritet dhe qytetarë.

“Në Kosovë kur flitet për USAID-in flitet për zhvillim ndihma dhe mbështetja juaj për popullin e Kosovës ndër vite asociohet ngushtë me etapa të rëndësishme zhvillimore të vendit tonë. Vizita juaj dhe takimi që sapo e përfunduam janë dëshmi e angazhimit dhe punës së jashtëzakonshme të USAID-it në partneritet me qytetarët tanë institucionet tona mbi të gjitha me shtetin tonë”.

“Kontributi i USAID me dekada është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të ShBA-ve, Amerikës dhe popullit amerikan për ta ndihmuar vendin tonë në arritjen e sukseseve tona”, ka thënë Osmani.

E para e shtetit konsideron se ky bashkëpunim reflekton partneritetin e Kosovës me SHBA-në.

“Një partneritet i ndërtuar me besim të ndërsjellë të fuqizuar nga vlerat e përbashkëta dhe të motivuara nga qëllimi ynë i përbashkët. Një Kosovë më e fortë e zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe e integruar në institucionet euroatlantike”.

“Në përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë USAID-i ka qëndruar besnikërisht përkrahë shtetit tonë duke investuar mbi 1 miliardë dollarë në Republikën e Kosovës e që bashkë me projekte tjera të Qeverisë Amerikane investimet arrin diku në 2 miliardë dollarë”.

Ndonëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, kanë thënë se çështja e dinarit ka cenuar raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk është e vërtetë” se po i prish marrëdhëniet me aleatë.

Këto komente, Kurti i bëri në një prononcim para gazetarëve, pas ceremonisë inauguruese të objektit të ri të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civil.

“Nuk është e vërtetë”, ka thënë shkurtimisht kreu i ekzekutivit, pasi është pyetur se kritikët dhe eksponentë të opozitës po e akuzojnë atë se po i bën dëm Kosovës duke i përkeqësuar raportet me ndërkombëtarët.

Vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës për pagesa, ka shkaktuar fërkimin e radhës në mes të qeverisë – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të vendit – dhe komunitetit ndërkombëtar – të cilët s’po dëshirojnë “surpriza” në terren, por zbatim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore