Kosova

Osmani para 2 vitesh: Po u zbatua vendimi për Manastirin, krijon precedent të rrezikshëm – meqë ishte vendim i Millosheviç-it fillimisht


Vjosa Osmani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 193-të njoftoi se ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, vendim ky i cili për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, mund të krijojë precedent të rrezikshëm në të ardhmen për zbatimin e vendimeve të tjera diskriminuese të kohës së Kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviç-it.

Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë në vitin 2022, Osmani njëjtë si Kurti cilësonte vendimin si diskriminuese meqë ishte dhënë në kohën e Millosheviç-it pa asnjë kriter.

Osmani asokohe madje arsyetonte mos-zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, duke u thirrur në një rregullore të kohës së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut.

“Në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut kishte paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviç-it nga marsi 89-të deri në qershor 99-të janë të pazbatueshme në Kosovës për shkak të natyrës së tyre diskriminuese”.

Por, ajo e cila do të ishte më problematike gjithë në këtë mes, në vlerësimin e saj, ishte precedenti i zbatimit të një vendimi të tillë, i cili, sipas saj, do të krijonte probleme marramendëse në Kosovë.

“Mendoj se ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që mund të krijohet nga një vendim i tillë sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë ne po e zbatojmë një vendim i cili buron nga koha e Millosheviç-it, por jo edhe qindra e mijëra të tjera, do të krijonte probleme marramendëse në Kosovë”, pohonte ajo.

Çfarë ndodhi?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, me arsyetimin se pa zbatimin e tij Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Sipas tij Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve – të plotësoj këtë kusht në atë mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, apo të ngelë pa u anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtar.

Kurti ndër të tjera ka bërë të ditur se Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi në fjalë, të cilën e ka cilësuar si të çuditshme e të padrejtë.

Megjithatë ai ka pranuar se ekzekutivi kosovar nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin në fjalë.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kurti duke arsyetuar vendimin në fjalë, ka potencuar se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj këtij vendimi të dëmshëm nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, Kurti, siç ka bërë të ditur vetë është prirë nga arsyeja e shëndosh.

Sipas tij askush nuk ka të drejtë ta ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontitetit tonë.

“Askush nuk ka të drejtë t’ia humbas qytetarëve të drejtën që të ndjehen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’ju qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës”.

Autoritetet lokale në Deçan, deri më tani, kanë refuzuar që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç-it, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Për këtë çështje është zhvilluar edhe një proces gjyqësor, i cili ka zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.

Kalimi i Kurtit nga kundërshtuesi absolut, në urdhëruesin e vendimit që tokat t’i jepen Manastirit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore