Lajme

Osmani: Nëse ushtria serbe kalon kufirin me Kosovën, do ndeshet me NATO-n


Vjosa Osmani - Presidente e Republikës së Kosovës

“Nëse ndonjëherë trupat e ushtrisë serbe tentojnë ta kalojnë kufirin me Republikën e Kosovës, ata do të ndeshen me NATO-n”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për të përditshmen kroate, Express.hr, kur është pyetur për potencialitetin e një situate të tillë.

Ajo ka bërë edhe një prerje të aleancave në Ballkan, duke theksuar se, derisa Kosova e vende të tjera të Ballkanit zhvillonin stërvitjen “Defender Europe 21” së bashku me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, “Serbia organizoi stërvitje ushtarake me Rusinë”.

“Një gjë është e sigurt, nëse ata kalojnë kufirin me Kosovën, do të ndeshen me ushtarë nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Ne nuk jemi vetëm dhe Serbia e di mirë këtë”.

“Ata u përpoqën ta bënin një herë në 1999-n. Nuk mendoj se do të dëshirojnë ta provojnë përsëri”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka folur po ashtu edhe rreth takimit me presidentët e vendeve të rajonit gjatë Samitit të Brdo-Brijunit.

Osmani është shprehur se ajo nuk ka hasur në mirëkuptimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe përfaqësuesin e serbëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, teksa ka kritikuar mos-kërkim faljen e shtetit serb për luftën e fundit në Kosovë.

“Nuk më duket se Serbia pendohet për atë pjesë të së kaluarës të krijuar nga Sllobodan Millosheviç. Ata vazhdojnë të festojnë mënyrën e tij të të menduarit dhe të vepruarit”.

“Kjo do të thotë që njerëzit me mendje të njëjtë janë në pushtet, ata thjesht përdorin strategji të ndryshme. Por jashtë, gjatë takimeve dhe para mediave, ata flasin për paqen”, ka thënë Osmani për median kroate.

Osmani ka folur edhe për qëndrimin aktual të shtetit serb dhe mos-pranimin e të qenit agresor në luftën e fundit dhe mos-dënimit të së kaluarës kriminale.

“Historia na tregon se nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi. Unë kërkova drejtësi për të gjitha viktimat civile të regjimit të Millosheviçit”.

“Për mua, nuk është problem politik, por humanitar. Edhe nëse nuk është detyra jonë si politikanë, është detyra jonë si qenie njerëzore, është detyra jonë morale të nxjerrim drejtësinë në dritë, drejtësinë për viktimat”.

“Është detyrim politik dhe moral i Serbisë që të mbajë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci. Gjëja më e rëndësishme është të na tregojnë se ku janë personat e zhdukur, si në Kosovë, ashtu edhe në Kroaci. Bëhet fjalë për një numër prej më shumë se 1 mijë e 600 të zhdukur, familjet e së cilëve duan të dinë se ku gjinden trupat e më të dashurve të tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore