Lajme

Osmani me Peach: Britania e Madhe e përkushtuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor


Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka pritur në takim të martën e 1 shkurtit të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ku kanë diskutuar për situatën aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Maqedonia e Veriut.

Peach ka ripohuar angazhimin e fortë të Britanisë së Madhe ndaj rajonit, si dhe rolin e saj në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Prania e Mbretërisë së Bashkuar në rajon është më se e nevojshme, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve tradicionale por edhe si mbështetje konsistente për perspektivën europiane të gjithë rajonit”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Ndërsa i pari i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut e ka njoftuar të dërguarin special, Peach për zbatimin e reformave nga agjenda evropiane, me theks të veçantë për rifillimin e dialogut me Bullgarinë.

Siç thuhet, Osmani dhe Peach theksuan se “miqësia dhe partneriteti tradicional ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë së Madhe në tre dekadat e fundit është reflektuar në dialog intensiv politik dhe bashkëpunim të shkëlqyer tregtar dhe sektorial, i cili do të rrisë më tej mundësitë që ofron ‘Marrëveshja Dypalëshe Tregtare’, partneriteti dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore