Lajme

Osmani kujton Masakrën e Rezallës: Sjellja para drejtësisë e autorëve është e domosdoshme


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Rezallës, duke thënë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme.

“Forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

E para e vendit ka theksuar se eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudincë të Rashkës së Serbisë.

“Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e nevojshme dhe e domosdoshme”, shtoi.

Presidentja kërkoi drejtësi për viktimat dhe “kujtim i përhershëm për to!”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, përfundoi.

Masakrën e Rezallës e ka përkujtuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe se të shtënat kishin zgjatur 30 minuta.

“Pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat. 29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi”, tregoi ai.

Kryeministri potencoi se nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, janë kthyer në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë.

“Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet. Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”, shtoi.

E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë, pohoi Kurti, “nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”.

“Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”.

Kurti theksoi se përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore