Lajme

Osmani: Integrimi i grave dhe vajzave është synim i përditshëm i yni


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se në Kosovë më 22-23 tetor do të mbahet forumi për gratë në paqe dhe siguri.

Kështu është bërë e ditur në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), përmes një konference me temën “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.

E para e shtetit, deklaroi se institucionet aktuale e kuptojnë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave dhe vajzave në çdo sektor e strategji pa dallim.

“Integrimi i vajzave dhe grave është një synim i përditshëm dhe këtë mund ta arrijmë kur garantojmë barazi në të gjitha fushat. Ne e kuptojmë se ky mund të jetë rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por vullneti ekziston dhe vizioni gjithashtu. Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse. Gratë mund ta bëjnë këtë, shoqëria jonë ka nevojë për këtë”, tha ajo.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Rixhardson, konsideron se pavarësisht atyre që u folën në këtë konferencë, qëndrojmë shumë larg me punën.

“Ballkani Perëndimor ka zgjedhur paqen si rrugë të vet dhe nuk ka kthim prapa por për këtë udhëtim drejt avancimit të ecjes i duhen gratë, ato duhet të jenë pjesë e udhëtimit. Kam qenë e impresionuar nga katër vitet nga cilësia dhe vendosmëria dhe pasioni i lëvizjes së grave në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.

Konferenca me temën “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.

Me 15.9 për qind të grave të punësuara, Kosova ka nivelin më të ulët të grave në punë, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas një raporti të Bankës Botërore, shkalla e punësimit të grave në Shqipëri në vitin 2019 ka qenë mbi 50 për qind, në Mal të Zi dhe Serbi afro 50 për qind, në Maqedoni të Veriut mbi 40 për qind, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë rreth 30 për qind.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është 25.8 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore