Lajme

Osmani falënderon Bin Zayed për heqjen e vizave për kosovarët


Vjosa Osmani dhe Mohamed Bin Zayed

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed, për pranimin e propozimit të saj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lartmadhërinë e Tij Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”, ka potencuar Osmani.

Të martën është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Arabisë Saudite për lirim nga vizat për pasaportat diplomatike dhe ato zyrtare.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ku kanë bërë të ditur se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është bërë nga zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, me homologun e tij nga Arabia Saudite, Waleed Abdulkarim El Khereiji, me të cilin kanë pasur edhe një takim.

“Gjatë takimit me Zëvendësministrin për Punë të Jashtme, El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit”, thuhet në njoftim.

Kosova dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshje për lirim nga viziat për pasaporta diplomatike dhe ato zyrtare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore