Lajme

Osmani bisedon me Pendarovskin për stabilitetin në rajon dhe të ardhmen euroatlantike


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të Procesit Brdo-Brione që po mbahet në Shkup është takuar me presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me të cilin ka biseduar për stabilitetin në rajon dhe të ardhmen tonë euroatlantike.

Takimin e ka bërë të ditur Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’.

“Gjatë takimit të liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni në Shkup, takova Presidentin. Së bashku diskutuam rëndësinë e bashkëpunimit në rritje që synon promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe të ardhmen tonë euroatlantike”, ka shkruar ajo.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor këtë të hëne, në kuadër të procesit të Brdo-Brione, janë mbledhur në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.

Nikoqir i këtij takimi do të jetë Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi.

Bashkëpritës janë Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, dhe ajo e Sllovenisë Natasha Pirc-Musar.

Pjesëmarrjen në këtë proces të Brdo-Brione, e kanë konfirmuar edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Po ashtu, në Shkup do të shkojnë edhe tre anëtarët e presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç nga entiteti boshnjak, Zeljko Komshiç i etnitetit kroat, dhe Zeljka Cvijanoviç i atij serb.

Në fokus të takimit të liderëve të vendeve ballkanike në procesin e Brdo-Brione, këtë vit do të jetë integrimi evropian, ndryshimet klimatike dhe emigracioni i të rinjve.

Në prag të procesit, të dielën ka pasur një takim përgatitorë në mes të presidentëve të rajonit.

Qëllimi kryesor i këtij procesi është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Samiti i Brdo-Brione ka filluar që nga viti 2013.

Ishte iniciuar nga presidenti i atëhershëm i Sllovenisë, Borut Pahor, dhe ai i Kroacisë, Ivo Josipoviç.

Ky takim i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup, vjen në prag të atij të nivelit të lartë që pritet të mbahet më 14 shtator, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të takohen në Bruksel.

Zyrtarët e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas pushimeve të verës, kanë filluar përpjekjet e tyre më të fuqishme për të arritur ndonjë zgjidhje të problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendet fqinje ishin dakorduar për Marrëveshjen Bazë, e cila parashihte të normalizonte marrëdhëniet mes tyre, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, dhe më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit.

Mirëpo, ngjarjet e krijuara në Veriun e Kosovës që nga 26 maji, e kanë lënë në hije zbatimin e kësaj marrëveshje.

Prandaj, edhe angazhimet aktuale të diplomatëve amerikano-evropianë janë në këtë drejtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore