Lajme

OSBE: Dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, e ktheu prapa sistemin e drejtësisë


Foto: Albanian Post.

Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka konsideruar se dorëheqja masive e gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrative serbë të Kosovës nga sistemi i drejtësisë në rajonin e Mitrovicës, është kthim prapa për sistemin e drejtësisë.

OSBE-ja, përmes publikimit të raportimit mbi ndikimin e dorëheqjeve ka thënë se situata është analizuar gjatë periudhës janar të 2022-ës deri në qershor të 2023-ës.

“Pas integrimit të stafit gjyqësor serb të Kosovës më 2017, këto dorëheqje ishin kthim i madh prapa për sistemin e drejtësisë në Mitrovicë”.

“Raporti i Misionit të OSBE-së në Kosovë thekson se kjo ka rezultuar në zvogëlim të kapacitetit të gjykatës dhe prokurorisë për ndarje të drejtësisë, gjë e cila ka minuar të drejtën në gjykim brenda një kohe të arsyeshme dhe ka dëmtuar qasjen në drejtësi”, ka thënë Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Më 7 nëntor, pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, ishin larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Largimin e tyre e mbështeti edhe Serbia dhe në këmbim u dha disa kontrata, në bazë të të cilave, përveç pagës, u rregulluan edhe çështje të tjera, si pensionet dhe sigurimet shëndetësore.

Komuniteti ndërkombëtarë vazhdimisht u kishte bërë thirrje serbëve që të kthehen në institucione, por edhe Kosovës që ta mundësojë këtë kthim.

Serbët e kanë kushtëzuar kthimin e tyre në institucione në kohën kur kanë dhënë dorëheqje së bashku me përfaqësuesit politikë nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

Ata kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pasi është plotësuar kushti për riregjistrimin e makinave, në bazë të një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është këmbëngulur në themelimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë Asociacion në vitin 2013, por Kosova refuzon ta zbatojë atë me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e saj.

Kurse gjatë muajve të fundit ndërkombëtarët kanë rritur presionin ndaj Kosovës për ta themeluar Asociacionin, duke thënë se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.

Kaos në sistemin e drejtësisë në Veri – dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve serbë ende s’janë aprovuar – seanca s’janë mbajtur që 5 muaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore