Lajme

Organizatat kryesore ndërkombëtare bëjnë thirrje që të zgjidhet çështja e certifikatës së Klan Kosovës


Klan Kosova.

Shtatë organizata kryesore ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve sërish kanë bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave.

Po ashtu, kanë kërkuar që të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.

Reagimi vjen nga organizatat Article 19, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), OBC Transeuropa (OBCT) dhe Reporterët pa Kufij dhe Rrjeti i SafeJournalists.

“Ndonëse ne e njohim kërkesën që autoritetet e Kosovës të zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me regjistrimin e biznesit, kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar mbylljen e një prej transmetuesve më të mëdhenj kombëtar privat në vend”.

“Një hap jashtëzakonisht serioz që duhet të ndërmerret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës”, thuhet në komunikatën e shtatë organizatave”.

Nga organizatët është thënë se Klan Kosova, ka mbledhur dokumentacione të nevojshëm.

“Prandaj, organizatat tona mirëpresin hapin e ndërmarrë më 16 qershor nga ana e rregullatorit të medias në vend, Komisionit të Pavarur për Media (KPM), për shtyrjen e çdo vendimi për licencën e transmetimit të Klan Kosovës për një muaj për të lënë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme”.

“Që atëherë, së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) vërejmë se Klan Kosova ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm dhe ka dërguar një certifikatë të përditësuar të biznesit të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës”.

Në thirrje është theksuar edhe apeli i vendimit të pezullimit të certifikatës pranë Komisionit të Ministrisë për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve më 29 qershor.

“Ky komision, përbërja e të cilit do të vendoset nga vetë Ministria, ka afat deri më 14 korrik 2023 për të marrë vendim për ankesën”.

“Përpara këtij procesi, i bëjmë thirrje Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të sigurojë që komisioni i ri të përbëhet nga individë të pavarur, me përvojë dhe profesionistë dhe të merret një vendim në kohë dhe plotësisht transparente”.

Organizatat kanë thënë se shpresojnë që ankesën e Klan Kosovës do ta shqyrtoj kjo ministri.

“Shpresojmë që Komisioni i Ministrisë të pranojë ankesën e Klan Kosovës dhe të shfuqizojë menjëherë pezullimin e certifikatës së biznesit. Një gjë e tillë do të ofronte garanci për të ardhmen e operimit të Klan Kosovës brenda vendit dhe do të siguronte që progresi pozitiv i bërë në zhvillimin e lirisë së mediave në Kosovë gjatë viteve të fundit të mos dëmtohet seriozisht”.

“Organizatat tona do të vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje nga afër dhe do t’i përgjigjen të gjitha zhvillimeve të mëtejshme”.

Qeveria e Kosovës pati iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj “Klan Kosovës” dhe ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit. Arsyeja e pezullimit është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore