Lajme

Opozita në Kosovë: Programi qeverisës lojë fjalësh, pa masa dhe veprime konkrete


Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar programin qeverisës të prezantuar nga kryeministri Albin Kurti.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka kritikuar kryeministrin dhe programin e tij qeverisëse, pas prezantimit të programit qeverisëse që bëri kryeministri Kurti para deputetëve.

Hoxhaj e ka kritikuar Kurtin fillimisht për keq-menaxhimin e procesit të vaksinimit dhe pandemisë, andaj seancën e jashtëzakonshme të ftuar me urgjencë, sipas tij ka qenë shumë e vonuar dhe tani më e panevojshme.

“Ftesa e kryeministrit për ta prezantuar programin në një seancë të jashtëzakonshme dy muaj pas marrjes së mandatit nuk ka të bëjë me urgjencë. Kjo seancë do të ishte e zakonshme nëse do të mbahej në fund të marsit. Kjo urgjencë do të duhej të ishte në trajtimin e situatës me pandeminë. Pamjet e të moshuarve tanë duke u shtyrë për një vaksinë, flet se vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare”, ka deklaruar ai.

Enver Hoxhaj

Të kotë, të padobishëm dhe pa ndonjë plan veprimi e ka quajtur plan-programin qeverisës të prezantuar nga Kurti. Madje, planin e prezantuar nga ai e ka quajtur si më të dobëtin ndonjëherë dhe si ‘paçavër’.

“Programi që e keni para jush nuk ka plan veprimi, objektivat nuk përkthehen në aktivitete konkrete. Nuk ka afate kohore dhe as planifikime buxhetore. Është programi më i dobët dhe më i kotë. Albin Kurti kishte krijuar bindjen se sa të udhëheqë qeverinë do ta bënte transformimin e madh falë programit politik. Në fakt kjo ka të bëjë me diçka tjetër, çdo demagog dhe populist e ka talentin e veçantë me i bo reklamë vetës dhe këtë talent e ka edhe Albin Kurti…Ky program flet për mjerimin e Qeverisë Kurti. Është një program mediokër, është një paçavur”, ka deklaruar Hoxhaj.

Nga ana tjetër kritika të shumta për programin e prezantuar nga kryeministri ka pasur edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku e ka vlerësuar programin-qeverisës si dokumentin më jo-përmbajtjesorë që i ka rënën në dorë ndonjëherë.

“Për befasinë time e tonën, është një ndër dokumentet më sipërfaqësore e më jo-përmbajtsorë që kam lexuar ndonjëherë”.

Lumir Abdixhiku

Ai tutje në fjalën e tij ka thënë se në dokumentin e prezantuar mungojnë argumentet sa i përket politikave primare.

“Është një dokument që s’përmban ndonjë masë, ndonjë matje e ndonjë numër. S’përmban as kohë se kur do të nisë e kur do të përfundojë një politikë qeveritare për katër vjet planifikim … përjashto ndonjë politikë dytësore aty–këtu, se çfarë problemi do të adresojë, çfarë rezultati do të japë, kush do ta implementojë, sa do të kushtojë, e si do ta bëjë atë”.

Kreu i LDK-së, kritikat i ka dhënë edhe në përdorimin e gjuhës në dokumentin e plan-programit qeverisës, ku thotë se aty janë përdorur terme të përgjithshme kundrejt specifikave konkrete.

“Do të bëjmë politika të mira”, thotë Programi Qeverisës në pothuajse secilin sektor. Ec e definoje abstraktin e një hartimi të tillë. “Do të bëjmë politika të mira”, s’është masë! Është deklaratë. Është parullë. Në Programin Qeverisës parullat vend s’kanë. Ato as nuk maten as s’udhëzojnë. Ato thjeshtë jepen sa për të mbushur vend”, është shprehur Abdixhiku.

Kurse nga partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka folur shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri.

Tahiri ka thënë se Qeveria është dorëzuar para besimit qeveritar pikërisht për faktin se ajo është vonuar me nxjerrjen e plan-programit qeveritar. Sipas tij, programi i prezantuar nuk flet për asgjë konkrete.

“Programi në vend së të artikulojë caqe dhe synime specifike, ai po i ikë kësaj metode dhe na prezanton një rrëfim të dikastereve pa asnjë veprim dhe masë konkrete. Flet për veprime pa caqe të matshme”, ka thënë ai.

Tahiri i ka thënë Kurtit, vepro e puno dhe mos mashtro vendin me fjalë boshe, por në esencë të zbrazura.

“Marrëdhënia jote me shtetin dhe shoqërinë, nuk është më në baza të mendimit të lirë dhe vullnetit tuaj, sepse ju e keni dhënë një betim para Kuvendit dhe keni marr besimin e mbi 50 %të popullit. Vepro, puno dhe mos e mashtro shoqërinë e shtetin me fjalë mirë të thurrura! Kryeji punët për çka e ke marrë besimin. Deri sot, 55 ditë ke trendin më të ulët në histori të qeverisjes 20 vjeçare”, është shprehur Tahiri.

Më 7 maj Qeveria në mbledhjen e saj ka miratuar programin qeverisës 2021-2025, ndërsa më 17 maj programi është shpalosur në Kuvend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore