Lajme

Opozita lëshon seancën në Kuvendin e Kosovës


Mos prania e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet programi qeverisës brenda mandatit katër vjeçar të Kurtit, ka bërë që partitë opozitare ta lëshojnë seancën.

Megjithatë, kjo seancë po vazhdon të zhvillohet nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ministrat dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Shefi i Grupi Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar në emër të grupit, se të hënën e 17 majit janë njoftuar që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë i pranishëm në këtë seancë prandaj edhe janë pajtuar që seanca të shtyhet për 19 maj.

“Të hënën u pajtuam që kjo seancë të vazhdojë sot, u njoftuam që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë rreth orës 12:00 në kuvend sepse do të kthehej nga vizita e tij nga Brukseli. Meqë ishte në udhëtim e kuptuam mungesën e tij në pjesën e parë të seancës por tani na duket e pa arsyeshme të vazhdojmë të qëndrojmë në sallë”, është shprehur Gashi.

Ai po ashtu ka theksuar se nëse kryeministri Kurti kthehet gjatë seancës, edhe ky subjekt politik sërish do të jetë prezentë.

“Nëse Kurti kthehet në sallë edhe ne do të kthehemi nëse ai nuk është këtu ne po vazhdojmë të shkojmë në zyrat tona deri sa ai të kthehet në sallë”.

Po ashtu, edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, nuk e ka parë të arsyeshme të qëndrojnë në sallë.

“Nuk ia vlen të vazhdohet ky debat në këtë formë, jo vetëm për shkak mungesës së Kurtit por edhe të mungesës së shumicës së ministrave dhe deputetëve”, ka thënë Tahiri.

Seanca për prezantimin e planit qeverisës është mbyllur pas dy ditësh diskutimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore