Kosova

Opozita kujton rënien e heroit Agim Ramadani: Nga Gjilani e nderoi Dukagjinin, Kosovën e mbarë kombin shqiptar


Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Opozita, në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit, komandant i Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë vlerësuar sakrificën e tij për shtetin e Kosovës, duke e quajtur si “luftëtar të vërtetë”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Ramadani e kishte nderuar edhe Dukagjinin, e mbarë kombin shqiptar.

“Ndër protagonistët kryesorë të Betejës së Koshares gjithsesi është emri i një luftëtari të vërtetë e me virtyte të larta. Agim Ramadani, strategu që shkuli gurin e kufirit që ndante shqiptarët, emër ky që u bë tmerr për armikun”.

“Shumë luftëtarë ranë në fushën e nderit nën emrin e brigadës që barti emrin e tij e shumë të tjerë i lanë gjymtyrët në kufirin shqiptaro-shqiptar”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se ndaj Ramadanit, do të jenë mirënjohës për gjithë jetën.

“Agim Ramadani – komandant “Katana”, e dinte përgjigjen në këtë pyetje para se ta shkruante këtë poezi. Prandaj, radhitja në mesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u bërë pjesë e luftës për liri, ishte mënyra e tij për të thënë se, JO, nuk mjafton të shikojmë. Se liria nuk falet, por fitohet me gjak”.

“Lavdi heroit të Kosovës,i cili edhe sot, në 25-vjetorin e rënies së tij heroike, përmes luftës dhe vargjeve të tij, jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës”, ka shkruar Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Agim Ramadani, aq sa sjell kujtime të gëzuar, në të njëjtën kohë kujton edhe momente më të vështira.

“Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme, janë disa ditë që aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Ditë të tilla janë këto të prillit, kur në majet e larta nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Ndonëse çlirimi ndodhi e për Kosovën ishte momenti më i gëzuar, Abdixhiku u shpreh se lufta ua morri heroin e Kosovës.

“Kumti i trishtueshëm që në vijat e para të frontit në Koshare, ra Agim Ramadani; nuk i ligështoi shokët e luftës. Ata tashmë kishin motivin për të vazhduar deri në çlirim. Kosova e pavarur, ishte ëndrra e të 114 dëshmorëve të Brigadës 138 të udhëhequr nga Agim Ramadani që tashmë po shkruanin me sakrificën e tyre njërën prej rrëfimeve më të madhërishme të luftës për liri e pavarësi”.

Më 11 prill, shënohet 25 vjetori i rënies së heroit të kombit, komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani, i cili ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri.

Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më tre maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë.

Po ashtu, njihet me emrin konspirativ-Katana.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore